Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se pas krijimit të platformës të koalicionit online me qytetarëve, zyra për Marrëdhëniet me Publikun që ndodhet në Kryeministri do të shkrihet nga ky mekanizëm.
Ai theksoi se do t’i jepet fund praktikës së përdorur 100-vjeçare, ku në Kryeministri vinin letra nga qytetarë për probleme të ndryshme, dhe më pas ato i adresoheshin institucioneve përkatëse.
“Çdo titullar do të mbajë përgjegjësi për trajtimin e adresimeve të çdo lloj natyre që lidhen me institucionin e vet. Ça ndodh sot tradicionalisht me ato që quhen letra nga populli?! Prej 100 vjetësh në Kryeministri funksionin një zyrë që më parë quhej ‘Hallet e popullit’, tani quhet ‘Marrëdhënie me publikun’, ku njerëzit shkruajnë letra. Drejtoria përkatëse e Marrëdhënieve me publikun, ka bërë, por s’do bëjë më, pasi do shkrihet nga ky mekanizëm, marrjen e letrave dhe dërgimin e tyre të institucionet përkatëse. Me këtë mekanizëm, kjo logjikë përmbyset plotësisht, pasi institucionet, që nga anëtarët e qeverisë që janë përgjegjësit brenda këtij koalicioni me njerëzit e zakonshëm dhe duhet të raportojnë çdo gjë për gjithçka”, tha Rama gjatë prezantimit të kësaj platforme.