Nga Londra, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar procedurën e zgjedhjes së kryeprokurorit. Gjatë bisedimit me komunitetin shqiptar të Londrës, Basha e krahasoi vendimin e Edi Ramës për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat.
Kreu demokrat garantoi se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë.
Basha: Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar.
Kreu i opozitës tha se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 korrik 2016.
I pyetur për situatën e kriminalitetit, Basha tha se duke mbrojtur dhe promovuar kriminelët, Edi Rama e ka futur Shqipërinë në listën e zezë.
Basha: Krimin do ta shtypim dhe Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian dhe shqiptarët nuk do të shkojnë më si refugjatë, por do të shkojnë të punojnë siç punojnë polakët, bullgarët, rumunët, me kokën lart me pasaportë shqiptare dhe të kenë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ky është qëllimi im. Ky është objektivi qe i kam vënë vetes.
Me demokratët e Londrës kreu i opozitës diskutoi për demokratizimin e mëtejshëm të PD-së, në mënyrë që të tërheqë pranë vetes intelektualët dhe këdo që beson tek vlerat.
Duke folur për zgjedhjet e kaluara, Basha tha se deputetët e ardhshëm të PD-së do të vinë sipas parimit një anëtar një votë.
Lulzim Basha ndodhet ne Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Ai mori pjesë ne konferencën mbi “Sfidat në Ballkanin Perëndimor”.