Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj.
Në fjalën e Tij Presidenti Meta theksoi se Reisul Ulema Sulejman Rexhepi: “Duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.”
Presidenti i Republikës u shpreh se: “Sulejmani, me guxim, pjekuri, e vendosmëri e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor shqiptar duke u bërë jo vetëm një frymëzues shpirtëror i besimit por edhe një patriot shqiptar i vërtetë.
Në vitin 1991 Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës. Organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova.”