Ekstradimi i Seitit, KLD: Shkelje të rënda, nis hetimi për gjyqtarin

0
681

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kastriot Gramshi për lejimin e ekstradimit të Nezar Seitit drejt Italisë në kuadër të hetimeve për dosjen ‘Habilaj’.

KLD njofton se nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes, konstatohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ankesa publike dyshohet për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit sipas nenit 140 pika 2 të Kushtetutës (shkelje haptazi e nenit 491 pika 1 shkronja ‘ç’ dhe 498 pika 2 të K.Pr.Penale), të cilat nëse provohen se janë kryer, veç të tjerave përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji. Në përfundim të hetimit disiplinor nga Inspektoriati i KLD-së, publiku do të njihet me rezultatet e tij dhe do të ndiqen procedurat ligjore” deklaron KLD.

Nezar Seiti u ekstradua pak ditë më parë drejt Italisë, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme kërkoi hetim disiplinor të 4 prokurorëve. Arta Marku deklaroi se ekstradimi ishte me shkelje, ndërsa erdhi si pasojë e mungesës së komunikimit mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here