Sot Komisioni i Venecias ka dërguar versionin final të opinionit që pritet të miratohet në Qershor, lidhur me debatin midis Presidentit dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse krahasuar me draft opinionin e muajt Mars, duket që mazhoranca ka ndërhyrë dhe ka arritur ta zbusë qëndrimin e Komisionit të Venecias, përsëri konkluzioni mbetet i njëjtë: Presidenti i Republikës kishte të drejtë.
Zyrtarisht Komisioni i Venecias konfirmon se Presidenti, me aktin e tij të 5 Nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me ligj. Pavarësisht se një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit, që ai gëzon në bazë të Kushtetutës, dhe këtë e vërtetoi me emërimin e një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit.
Nën këto rrethanat, logjika juridike e dispozitës përkatëse nuk u zbatua dhe duket se është e arsyeshme të pranohet emërimi me vonesë i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi të betohej gjyqtari që pretendohej se ishte paracaktuar nga aplikimi i mekanizimit zhbllokues.
Ndryshe nga sa pretendonte Partia Socialiste, në raportin me 22 faqe, të cilën Mapo e ka analizuar, nuk evidentohet asnjë shkelje e Kushtetutës dhe ligjit, nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Përkundrazi, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin që i bëri ligjit për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar se ndryshimet e Partisë Socialiste bien ndesh me Kushtetutën. Kujtojmë këtu që ai projektligj u rikthye për shqyrtim nga Presidenti në Kuvend, gjatë mitingut të datës 2 Mars./Mapo.al