Njëzetetre gushti shënon ditën e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare në Europë, dhe me këtë rast, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në Facebook ka kërkuar që të nderohen me respekt jetët e pafajshme që kanë ikur nga kjo botë për idealet e lirisë.
“Në Ditën Europiane të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare nderojmë sot me respekt dhe përulje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Nderojmë gjithashtu dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve, të të mbijetuarve në kampet e vdekjes, si dhe të familjeve të persekutuara dhe të internuara padrejtësisht, simbole të përhershme rezistence dhe qëndrese ndaj së keqes”, shkruan Meta në Faecbook.
Në vijim ish-Presidenti shprehet se pikërisht kjo ditë na kujton se duhet të luftojmë për lirinë kundër autoritarizmit aktual në politikë dhe jetën e përditshme.“Kjo ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti që na thërret për Lirinë, të frymëzojë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, në mbrojtje të demokracisë, lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor”, nënvizon ai.