Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua sot gara e vrapimit “Run for Autism”, kushtuar ndërgjegjësimit për Autizmin.
Gara e organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, erdhi në kuadër të Javës Italiane të Kulturës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se më shumë sesa çmimi ka rëndësi kauza për të cilën po garohet.
“Sot rëndësi ka ta bëjmë garën, të marrim pjesë, të kuptojmë sa e rëndësishme është t’i japim një dorë njëri-tjetrit. Asnjeri nuk ia del vetëm. Të gjithë kemi nevojë për një dorë që na ndihmon, për një vesh që na dëgjon, për një mendje që logjikon me ne dhe për dikë që na jep zemër tërë kohës,” tha ai.
Veliaj shtoi se qëllimi i aktiviteteve të tilla është që t’u jepet të gjithëve një shans.
“Na pëlqen që të gjithëve t’u japim një shans, pavarësisht se disa do shkojnë në kampionat botëror e lojëra olimpike, kurse disa të tjere duhet t’i fitojnë betejat e vogla përditë. Ne duam që Federatat tona sportive të kenë të gjithë këtë mentalitet, t’i japim secilit një mundësi të përfshihet, të ndihet që është pjesë e këtij qyteti,” u shpreh ai.
Një falenderim kryebashkiaku e kishte edhe për Ambasadën Italiane që çeli siparin e Javëve të Kulturës për këtë vit në Tiranë. “Java italiane e kulturës është aktiviteti që kemi më shumë për zemër, e që vërtet i kemi kushtuar shumë energji që të dalë sa më bukur dhe fëmijët, engjëjt tanë të mrekullueshëm, ta shijojnë jashtë mase. Jam shumë i lumtur sepse të gjitha ambasadat kanë javët e tyre të kulturës por kryesisht javët e kulturës janë të promovojnë shtetin e tyre,” tha ai.
“Është një nga ato rastet ku e rëndësishme është të marrësh pjesë. Do marr edhe unë pjesë, me siguri nuk do arrij i pari në finish, por edhe të arrish i fundit, është një kënaqësi e madhe”, tha ambasadori Bucci.