Një ditë pas protestës së zhvilluar në qendër të Himarës, ku OMONIA dhe personazhe shqiptarë i bënë thirrje autoriteteve shqiptare për lirimin e Fredi Beleri , vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Rama drejtuar autoriteteve greke kërkon t’i binden ligjit. Akuzat dhe deklaratat kryeministri i cilësoi si një skenar sarkastik, ndërsa në tone ironizuese shprehet; ‘digjet jorgani për një plesht’.
“Jam jo vetëm shumë i keqardhur, por edhe seriozisht i shqetësuar. Sepse ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezi presin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare. Ngado që rrotullohem për t’u futur “në këpucët e tjetrit”, unë nuk e gjej dot një rrugë që më nxjerr në shtegun e justifikimit të kësaj qasjeje ndaj një çështjeje të drejtësisë dhe nuk e kuptoj dot, se si mund të zgjidhet ky hall “i çuditshëm” i fqinjëve dhe miqve tanë, përveçse duke e lënë drejtësinë të bëjë e patrazuar punën e saj”, shprehet Rama.
Gjithashtu ai shton se miqtë greke që erdhën në Himarë në mes të pushimeve janë të mirëseardhur edhe për të protestuar, sepse Shqipëria është një vend Europian, tolerant dhe mikpritës për çdo të huajt.
REAGIMI i PLOTË:
U bënë disa muaj që politikanë dhe media të caktuara në Greqi, kërkojnë nga Shqipëria që të lirojë nga burgu kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Përpara pak javësh, Margaritis Schinas, zëvendës president i Komisionit Europian dhe mik i mirë i Shqipërisë, publikoi një letër drejtuar komisionerit Oliver Varheley. Me një ton diplomatikisht paralajmërues për pengimin e ecurisë së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, i kërkoi kolegut të tij të ndërhyjë pranë autoriteteve shqiptare, sepse përndryshe ai, pra zoti Schinas, sheh “një rrezik imediat që kjo çështje të ndikojë negativisht në raportin e progresit të 2023 për Shqipërinë dhe angazhimin e saj në promovimin e rendit ligjor”.
Në këto terma dhe me bindjen e njëjtë si në letrën e lartëpërmendur, edhe mbi “lidhjen e kësaj çështjeje me respektin e përgjithshëm për të drejtat themelore apo çështjen e mbetur pezull të pronave të minoritetit grek në zonën e bashkisë në fjalë, si edhe me akuzat për shkelje të kufijve të tyre nga ana e shtetit”, siç shkruhej në letrën e zotit Schinas, u zhvillua dje një protestë e organizuar nga politikanë grekë në qendër të Himarës!
(Ç’është e vërteta kjo bindje e miqve grekë nuk bazohet në as edhe një fakt konkret, që do të mund të provonte se në Shqipëri ka vërtetë një problem specifik të drejtash apo pronash për minoritetin grek, i cili ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e gjithë qytetarëve shqiptarë, çka edhe e kemi trajtuar e do ta trajtojmë vijimësisht me respekt, me durim dhe me gjuhën e fakteve me Athinën zyrtare).
Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike. Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja “Jam pa fjalë!” është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq. Por kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja “Digjet jorgani për një plesht!” prandaj edhe duhet folur e bërë çmos, që ky të mos jetë kurrësesi rasti.
“Lironi Belerin dhe pikë!”.
Po kush dhe si mund ta lirojë sot nga burgu një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, se ka kryer krimin e blerjes së votave – për të cilin Kodi Penal i Shqipërisë është i qartë dhe drastik – ndërsa sipas vendimit të pandryshuar në të treja shkallët e gjykimit, nuk mund ta lerë paraburgimin deri në fund të procesit gjyqësor ndaj tij?!