Një zonë banimi, me kushte e standarde bashkëkohore, do u japë mundësinë 300 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Kombinat, të nisin një jetë të re në apartamente me kushte shumë herë më të mira. Duke inspektuar punimet që janë drejt përfundimit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”.
Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike dhe problematikat e hasura me bllokimin e punimeve, Bashkia e Tiranës nuk e ka ndaluar asnjëherë punën. “Sot është një ditë e bekuar sepse kalojmë nga kur thoshim ‘mjerë ata që humbën shtëpitë e tërmetit’, në ‘lum ata që do të marrin shtëpitë e reja’. Ju jam mirënjohës për punën sepse dua që, kur qytetarët të kthehen nga pushimet në shtator, të gjejnë shkolla të reja, kopshte të reja, çerdhe të reja, dhe sidomos për qytetarët e Kombinatit të japim këto 300 apartamente, që zgjidhin pjesën më të madhe të nevojtarëve. Për të gjithë ato familje që kanë 5 vite që presin të vijë kjo ditë, më në fund kemi këtë lajm të mirë. Sigurisht, këtë lajm të mirë mund ta kishim patur më shpejt nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”, tha Veliaj.