Në kuadër të vizitës që po zhvillon në SHBA, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Qendra për Analizat Politike Evropiane (CEPA) me temë “Këndvështrimi i Shqipërisë mbi Sigurinë Rajonale, Energjinë dhe Atlanticizmin në Ballkanin Perëndimor”. I ftuar në këtë panel të moderuar nga Janusz Bugajski dhe Peter Doran, në prani të një audiencë analistësh dhe diplomatësh në Uashington, Ministri Bushati paraqiti një panoramë të sfidave të sigurisë me të cilat po përballen sot shoqëritë tona dhe në veçanti Ballkani Perëndimor.
Ministri Bushati vlerësoi se Ballkani Perëndimor përbën një rajon kompleks sa i takon sfidave të sigurisë duke renditur një sërë elementësh që kërkojnë vëmendje të shtuar dhe bashkëpunim më të rritur jo vetëm mes vendeve të rajonit, por edhe nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo vëmendje e shtuar, theksoi Ministri Bushati, bëhet edhe më e domosdoshme po të merret në konsideratë se rajoni ynë, i cili ende nuk është i shëruar nga reminishencat nacionaliste të së kaluarës, është lehtësisht i ekspozueshëm dhe i kanosur nga influenca e aktorëve të tretë, por edhe nga terrorizmi, radikalizmi dhe luftëtaret e huaj të angazhuar në konfliktin në Siri.
Duke u ndalur te projektet madhore energjitike si GazësjellësiTrans-Adriatik dhe perspektiva për zgjerimin e tij përgjatë Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë në projektin e Gazësjellësit Adriatiko-Jonian, ai shtoi rëndësinë strategjike të rajonit tonë karshi Bashkimit Evropian në sfidën e saj për diversifikimin e burimeve energjitike dhe uljen e varësisë.
Duke u ndalur në rolin e Shqipërisë në rajon, Minsitri Bushati theksoi se Shqipëria ka një interes strategjik afatgjatë për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin e rajonit dhe në këtë kontekst ka përdorur të gjitha platformat ndërkombëtare për të promovuar këtë pozicion. Më konkretisht ai iu referua mbështetjes që i ka dhënë Shqipëria procesit të integrimit euroatlantik të vendeve aspirantë për anëtarësim në NATO nga Ballkani Perëndimor, duke nënvizuar se kjo përqasje është materializuar edhe në bashkëpunimin rajonal, ku rishtazi Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia si tre vende tashmë aleate në NATO përgjatë Adriatikut po punojnë në një platformë trepalëshe për të ofruar kontribut të shtuar jo vetëm në platformat e sigurisë rajonale por edhe për të promovuar interkonektivitetin dhe zhvillimin shoqëror në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Bushati zhvilloi një takim edhe me kongresmenin nga Florida Matt Gaetz me të cilin diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe rajon. Nga ana e tij, Kongresmeni Gaetz u shpreh se “ju keni një mandat të qartë për të qeverisur dhe keni mbështetjen tonë të plotë për reformat shtet-konsoliduese që keni ndërmarrë. SHBA-të janë veçanërisht të interesuar për reformat në fushën e shtetit ligjor dhe potencialin që këto reforma mund të çlirojnë për ekonominë shqiptare”. Po ashtu, kongresmeni theksoi interesin që SHBA-të kanë për reformën në sektorin energjetik ne Shqipëri.