Disa studentë të Fakultetit të Drejtësisë kanë protestuar ditën e sotme për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Protesta u mbajt përpara godinës së Ministrisë së Drejtësisë dhe studentët ishin të shoqëruar nga 3 deputetët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi.
Pak orë pas shoqërimit në polici studentët u lanë të lirë, dhe menjëherë dhanë një deklaratë për mediat.
Nënkryetari i LRI, njëkohësisht anëtar i Kryesisë së LSI, Klevi Pojana u shpreh shoqërimi në polici ishte kryer në mënyrë të dhunshme, ndërsa në komisariat nuk kishin pasur asnjë problem.
I pyetur për arsyen e protestës Pojana u shpreh se të rinjtë shqiptarë kanë shumë arsye dhe probleme për të protestuar.
“Në shkolla përdoret drogë, gjimnazistët mësojnë gjuhë të huaja që të largohen nga vendi. Është një listë e gjatë arsyesh se pse ne protestuam sot”.- theksoi nënkryetari i LRI.
Sakaq, shtoi se kjo protestë nuk ishte politike dhe nuk kishte asgje të jashtëligjshme.
Deputetët e LSI Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi kanë theksuar se në komisariat u ndodhen për tu interesuar për tre studentët e shoqëruar. Sipas tyre, policia nuk ka asnjë të drejtë t’i mbajë studentët në komisariat, pasi protesta sipas tyre ishte legjitime dhe aspak politike.