Ka qënë ora 13.35 minuta kur kanë mbërritur në hyrjen e stadiumit të ri “Loro Boriçi” dy përfaqësuesit e UEFA-s të shoqëruar nga zyrtarë të federatës shqiptare të futbollit.
Ardhja në Shkodër kishte për qëllim inspektimin e cilësisë së punimeve të impjantit të ri sportiv dhe për mbi 2 orë e 30 minuta, ato kanë parë nga afër të gjithë zbatimin e projektit të stadiumit të ri.
Tribuna vip, fusha e blertë, dhomat e zhveshjes, sistemi i ndriçimit dhe çdo element tjetër ka kaluar në sitën e dy inspektorëve të UEFA-s, të cilët në fund i kanë dhënë vlerësim pozitiv stadiumit “Loro Boriçi”, sa i përket detyrave të lëna.
Vetë të dërguarit e UEFA-s nuk kanë pranuar të prononcohen, por ka qënë anëtari i komitetit ekzekutiv të FSHF-së Arben Dervishi që bëri publik lajmin për mediat, duke thënë se e vetmja pikë ku është kërkuar zgjidhje mbetet parkingu përreth stadiumit.
Në stadiumin e ri “Loro Boriçi” po kryhen punimet e fundit dhe pritet që në muajin gusht të zhvillohet ndeshja e parë, që sipas një programi paraprak të projektuar nga FSHF do të jetë një miqësore mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.