Video/ Rrëfehet rapsodi shqiptar, si e ktheva “Despaciton” në çifteli

0
1551
“Despacito” është bërë tashmë një hit mbarëbotëror që këndohet dhe kërcehet nga pothuajse të gjitha moshat, por një muzikant autodidakt që nuk ka lidhje me ritmet e muzikës latine ka vendosur të çudisë çdokënd duke e sjellë intron e këngës regeton-pop me notat e dala nga telat e çiftelisë. Ky është Fatmir Makolli nga Prishtina e Kosovës, video e të cilit duke interpretuar “Despaciton” me cifteli dhe kostum popullor shqiptar po thyen xhiron e rrjeteve sociale. Interpretim dukshëm virtuoz edhe pse intro e këngës paraqet shumë vështirësi në kalimin nga regetone-popi latin si minore në çifteli të temperuar. Po kush është Fatmir Makolli dhe si i lindi idea dhe përse ky mendim për ta sjellë këtë hit me cifteli? Të gjitha këto Makolli i shpjegon në miniintervistën e dhënë për Opinion.al gjatë bisedës me gazetarin Dritan Laci, ku ekskluzivisht riprodhon edhe njëherë me cifteli intron e këngës, të cilën mund ta shijoni nëpërmjet videove që gjenden në përfundim të intervistës.

Nga Dritan Laci

Z.Makolli ju jeni bërë i famshëm ditët e fundit për interpretimin virtuoz në çifteli të “Despacito” një prej hiteve më të njohura muzikore të muajve të fundit. Për të gjithë ata që nuk të njohin, të paktën në Shqipëri, kush është Fatmir Makolli, cili është aktiviteti i tij muzikor?

Unë jam lindur në një fshat kodrinor, të rrethit të Prishtinës. Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen dhe Fakultetin Ekonomik në Prushtinë. Aktualusht punoj si zyrtar financiar në Korporatën Energjetike të Kosoves. Jam i martuar, kam bashkëshorten Hatixhen, djalin Melosin, vajzën Melodin dhe nusen e djalit Elhamen. Deri sa isha në Marec më ra në dorë një radiotranzistor i vogël në të cilin përmes Radio Kukësit, dëgjoja këngët e bukura të Dervish Shaqes, Fatime Sokolit, Dida Çela Kovaçi, Drane Gegës, Fran Palit etj etj. Por ajo që më shtyu të merrem me çifteli janë meloditë e bukura të papërsëritshme të mjeshtrit më të mirë të të gjitha kohëve Ndue Shytit, nga i cili u frymëzova tërë jetën dhe vazhdoj t’i dëgjoj me nostalgji. Nga një kushëri i imi e mora çiftelinë e tij dhe fillova të mësoj ngadalë të gjitha meloditë e Shytit. Kur kreva shkollën e mesme u regjistrova në Fakultet, por njëkohësisht u anëtarësova në shoqërinë kulturore Artistike të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku së bashku me kompozitorin e mirënjohur Fahri Beqirin, si dhe Valton Beqirin bëra disa perparime të mëdha në përsosjen e çiftelisë duke u futur edhe në orkestër popullore edhe në bendin e RTK-së dhe bëmë disa kombinime që për atë kohë ishin shumë të avancuara. Pasi kreva fakultetin vazhdova aktivitetin duke marrë pjesë në koncerte, festivale, dasma, incizime me këngëtarë, nëpër tërë Evropën. Më 2006, kam përcjellë këngën e Eurovisionit të kënduar nga Ledina Çelo, që për mua ka qenë një privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Më 1996 isha në Berat në Festivalin mbarëkombëtar të folklorit, pastaj shumë e shumë festivale të tjera. Kohëve të fundit jam shume i angazhuar në dasma dhe pjesën time të programit.

Si të lindi idea për të imituar “Despaciton” me çifteli?

Gjatë veres kudo që shkoja, në qytet, në autobus, në taksi, në restorant, çdo kund dëgjohej kënga “Despacito”. Një ditë djali im Melosi i cili gjithashtu i bie çiftelisë, mundohej ta mësonte dhe u ulëm që të dy dhe une fillova ta ushtroj. Dalëngadalë më hyri në qejf kjo këngë dhe fillova ta përcjell trendin e saj edhe në youtube. E shikoja se çdo ditë rritej numri i shteteve që e bënin ne versionin e tyre. Një ditë vendosa pasi që edhe ne jemi shtet, kemi instrumentin tonë të veçantë nga krejt bota, dhe vendosa ta bëjë në versionin shqip. Së pari gjeta sponsorin i cili ma dha shtytjen e parë për të filluar punën, menaxherin e firmes M-Technologie, z. Rrustem Pacollin, zgjodha orkestruesin Burim Krasniqi ne studion Ethnomusic dhe realizues i video klipit Red Media me producent Burim Krasniqin gjithashtu, pastaj grupin e vallëzimit modern Art Designe me mjeshtrin Jeton Vorfi, statisten Elhame Salihun me një veshje kombëtare shumë e veçantë nga Medvegja, pastaj vendet për të bërë xhirimin në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Sëiss Diamond Hotelin dhe Kalane e Artanës e vjeter mbi 500 vjet afër vendlindjes time. Te gjitha këto ma mundësuan realizimin e kësaj ideje që ka për qellim që bota mbarë ta njohë çiftelinë si instrument kombetar i yni dhe pikërisht për këtë arsye e kam perdorur veshjen kombëtare per t’u identifikur që në pamjen e parë se bëhet fjalë për shqiptarë.

Çfarë vështirësish ka të sjellesh një këngë të tillë me ritme latine, me çifteli? Keni provuar edhe kengë të tjera për ti sjellë me çifteli?

Ka vështirësi sepse është një ritëm i panjohur për ne që merremi me folklor, por me punë dhe përkushtim u arrit disi. Kam provuar edhe këngë te tjera psh këngen greke që fitoi Eurovisioni para disa vitesh, Number One, por jo shume seriozisht. Por une e zgjodha Despaciton sepse këtë këngë e shoh si një dritare të madhe përmes se cilës tërë bota që e do muziken do ta shohin dhe do ta njohin çiftelinë si instrument tonin deri tani i panjohur për shumë shtete. Ata do te njihen edhe me mundësitë teknike të këtij instrumenti sepse edhe te ne vetë shqiptarët kemi pasur një mendim që çiftelia është një instrument i thjeshtë, i drurit, me mundësi të kufizuara për të përcjell këngë të zhanreve të ndryshme. Por çiftelia sidomos ajo e temperuar është krejtesisht e pajtueshme në nota sikurse çdo instrument elektronik ose mekanik që ka bota./ Opinion.al/

   

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here