Janar-tetor, 160 milionë euro të ardhura më shumë se vjet

0
717

 

Rezultatet vijojnë të jenë pozitive, si në zërat e të ardhurave, ashtu dhe në ato të shpenzimeve, edhe në muajin e dhjetë të vitit në vazhdim në drejtim të realizimit të Buxhetit të Shtetit 2017. Sipas statistikave zyrtare, të publikuara ditën e djeshme nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton që, ndryshe nga katër vitet e mëparshme, qeveria është treguar tejet dorëlëshuar me shpenzimet, të cilat janë rritur 12 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2016, në një kohë që edhe të ardhurat buxhetore janë rritur, por me gjysmën e këtij trendi: 6.3 për qind. Si rezultat, kemi një përkeqësim të ndjeshëm të bilancit.

Janë 22 miliardë lekë, ose 160 milionë euro më shumë që kanë hyrë në arkën e shtetit këtë vit, deri në fund të tetorit, si të ardhura buxhetore, mësohet nga statistikat zyrtare. Sipas tyre, këto janë rritur nga 334.9 miliardë lekë një vit më parë, në 356.1 miliardë sivjet. Afërsisht me të njëjtin ritëm janë rritur edhe dy nga taksat kryesore, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar – nga 107.8 miliardë lekë, në 114.5 miliardë lekë, po ashtu dhe Tatim Fitimi – nga 23.9, në 25.4 miliardë lekë.

Por bën ndërkohë shumë përshtypje fakti që tatimi mbi të ardhurat e punonjësve nga pagat është zvogëluar ndjeshëm. Kështu, nga 26.7 miliardë lekë një vit më parë që kanë hyrë nga ky zë i të ardhurave, sivjet shifra ka rënë në 24.5 miliardë: 8.2 për qind më pak. Duket edhe më i habitshëm ky fakt për një vit elektoral, gjatë të cilit ka patur më shumë investime, si dhe kur me vendim qeverie janë rritur pagat e të gjithë punonjësve të administratës publike. Lidhur me këtë të fundit, në zërin e shpenzimeve, vërehet se për paga shteti ka shpenzuar në 10 muaj 51.7 miliardë lekë, ndërkohë që kjo shifër ishte 47.9 miliardë një vit më parë.

Një rritje të konsiderueshme kanë patur të ardhurat e pushtetit vendor. 61 bashkitë e reja, pas reformës administrative dhe ndryshimeve të përfshira nëpër paketat fiskale, po njohin vit pas viti rritje të të ardhurave dhe si 10-mujor kanë arkëtuar 15.4 miliardë lekë, nga 13.1 miliardë në vitin 2016. Rritja është në masën 17.6 për qind.

Rritje të të ardhurave ka patur edhe në grumbullimin e kontributeve. Statistikat zyrtare flasin për 61.8 miliardë lekë të mbledhura për sigurimet shoqërore dhe 9.8 miliardë lekë për ato shëndetësore. Shifrat e vjetshme ishin përkatësisht 55.9 dhe 9.2 miliardë lekë, Pra, kemi 10.6 për qind dhe 6.5 për qind rritje.

Nga ana tjetër, shpenzimet në total kanë kaluar nga 320.2 miliardë lekë në janar-tetor 2016, në 358.5 miliardë këtë vit, me një rritje prej afro 290 milionë eurosh. Kjo ishte e pritshme për vitin e zgjedhjeve parlamentare, megjithëse mazhoranca aktuale ka miratuar një ligj, sipas të cilit në këto vite nuk mund të bëhen rritje të mëdha të shpenzimeve buxhetore, për të mos ndikuar tek zgjedhësit.

Kanë qenë shumë më të mëdha se më parë shpenzimet kapitale. Kështu, për investimet me fonde publike janë shpenzuar sivjet 45.4 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë në të njejtën periudhë kohore ato ishin në nivelin e 30.3 miliardëve. Me një rritje në masën 34.7 për qind. Edhe bashkitë nga ana e tyre nuk janë treguar të kursyera, duke shpenzuar afro 38% më shumë fonde se në 2016-ën.

Qeveria ka dhënë 7.2 për qind më shumë para për kategorinë e ish-të përndjekurve dhe trashëgimtarëve të tyre, si dhe 2 herë më shumë fonde për ish-pronarët. Këta të fundit kanë marrë 4 miliardë lekë, nga 2 miliardë nje vit më parë, ndonëse të ardhurat buxhetore në favor të tyre kanë qenë 26.6 për qind më të ulta. Si rezultat i uljes në nivele historike të interesave të letrave me vlerë, interesat që janë paguar për borxhet kanë qenë 15.4 për qind më të ulta.

Si rezultat i performancës së administratës shtetërore është kaluar nga suficit, në deficit buxhetor. Që pas ardhjes në pushtet, PS është përpjekur për të mbajtur një raport midis të ardhurave e shpenzimeve, që të lejonte pakësimin gradual të borxhit publik. Kjo deri diku është arritur, por me ritme shumë të ngadalta. Por këtë vit tendenca është kthyer sërish. Nga një suficit 14.7 miliardë lekë, është kaluar në deficit 2.4 miliardë lekë, më një përkeqësim bilanci në masën 116 për qind.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here