Thursday, December 26, 2024
Home Kronika Harta e grupeve kriminale ne Shqipëri per vitin 2015, Shkodra “hambari” i...

Harta e grupeve kriminale ne Shqipëri per vitin 2015, Shkodra “hambari” i ardhshem i kanabisit…

0
3155

 

“Evoluimi i strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri” është një studim i kryer nga Fabian Zhilla dhe Besfort Lamallari. Objekti i këtij Studimi është evidentimi i shfaqjes dhe evoluimit të strukturave të krimit të organizuar gjatë periudhës 1990-2015, nëpërmjet kuptimit më të mirë të tipologjisë së organizimeve kriminale shqiptare, që prej shfaqjes së tyre në fillimet e viteve 1990 e deri në vitin 2015.

Nga ana tjetër, ky studim ka si qëllim të nxjerrë në pah shkallën e sofistikimit të krimit të organizuar dhe situatën aktuale të tij në disa qytete kryesore të vendit. Studimi identifikon dhe analizon gjithashtu disa faktorë ekonomik dhe social të cilët ekspozojnë shoqërinë shqiptare ndaj krimit të organizuar.

Studim pasqyron një panoramë të situatës kriminle viti 2015 duke evidentuar organizimet kriminale më problematike në qytetet kryesore të vendit. Studimi nxjerr në pah se thuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit ka grupe të strukturuara kriminale të cilat kanë kontroll territori dhe të cilat janë fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve, gjobëvënien dhe mbledhjen e borxheve.

Tiranë 

Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara të cilat kanë një shtrirje kohore të aktivitetit kriminal të hershëm dhe të cilat kanë arritur ti rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmente të korruptuara të shtetit. Organizata e parë diskutohet ti ketë fillimet që në vitin 1994 dhe objekti kryesor i aktivitetit të saj është pastrimi i të ardhurave kriminale të mafies ndërkombetare. Organizata e dytë dyshohet të ketë të paktën 27 anëtarë dhe ka si objekt kryesor trafikun e narkotikëve, gjobëvenien dhe mbledhjen e gjobave për të tretët. Organizata e tretë hamendësohet të jetë më pak në numër dhe më pak aktive por me investime të rëndësishme në fushën e minerareve.

Shkodër 
Dyshohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje”8 të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Të 4 “familjet” janë të përfshira kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Nga ekspertët hamendësohet se Shkodra mund të jetë “hambari” i ardhshëm i rritjes së kanabisit dhe ky ndryshim për pasojë, mund të sjelli forcimin e metëjshëm të këtyre organizatave kriminale. Ky fuqizim mund të rrezikojë rëndë stabilitetin e kësaj zone duke pasur parasysh ekuilibrat e brishta sociale në këtë rreth

Durrës 
Në qytetin e Durrësit diskutohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre. Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë më precedentë të mëparshëm penal. Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me influencë jo vetëm në aktivitete tregtare por dhe aktivitete sociale.

Vlorë 
Karakteristikë e grupeve kriminale të qytetit të Vlorës është se në dallim nga grupet të cilat ishin aktive në vitin 92-99 (Zani Caushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më territore të ndara. Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për cështje territori por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vëndet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.

Fier
Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit sipas shumicës së të intervistuarve, mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Hamendësohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore por mbi të gjitha në lidhje komunitare (psh. komuniteti kosovar dhe cam). Mendohet se kohëve të fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedente kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vëndet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë) kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale dhe mendohet se po zgjerojnë ndjeshëm influencën e tyre edhe pranë partive politike, sidomos atyre të vogla.

Berat 
Qyteti i Beratit mendohet të jetë një qytet ku krimi i organizuar ka investuar për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë aktiv. Dyshohet se organizatat kriminale në këtë qytet janë kryesisht lokale të mbështetura në lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Flitet se në këtë qytet kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.

 Elbasan 
Vrasjet e shkurtit të vitit 2016, treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku aktiviteti i krimit të organizuar vazhdon të jetë prezent edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”. Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet që të kemi zhvendosje të organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Ne vemendje

08 Qershor 2016 – Anëtarë të familjes Capja qëllojnë mbi policinë në Elbasan;
20 Maj 2016 – Nga zbardhja e vetdeklarimeve të deputetëve të Parlamentit rezultojnë 5 deputetë të koalicionit të majtë dhe 5 deputetë të koalicionit të djathtë me precedent penal;
15 Maj 2016 – Shpallet në kërkim nga Policia Shqiptare, Klemend Balili, ish-drejtor i Shërbimit të Transportit Rrugor të Sarandës, i ashtëquajturi nga media si“Eskobari i Ballkanit”;
 18 Prill 2016 – Arrestohen Emiliano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Gilmano Dani, me akuzat për “shtrëngim dhe dhënie pasurie” si dhe “shkatërrim prone me eksploziv”;
03 Shkurt 2016 – Vriten 3 persona dhe plagosen 5 të tjerë në një lokal në Elbasan, nga persona të paidentifikuar të veshur me uniforma policie;
14 Janar 2015 – Zbulohet një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit;
24 Qershor 2015 – Vritet në Lazarat efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha;
05 Shtator 2015 – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përjashton deputetin Armando Prenga për përfshirjen e tij në një incident me armë në qytetin e Laçit;
08 Shtator 2015 -Jep dorëheqjen nga mandati i tij ish deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka për shkaqe që lidhen më një precedent penal në shtetin italian;
26 Nëntor 2015 – Ish Deputeti i Partisë Demokristiane Mark Frroku jep dorëheqjen nga mandati i deputetit deri në përfundimin e gjykimit në lidhje me disa precedente penalë në shtetin e Belgjikës;
5 Janar 2014 – Arrestohet Julian Sinanaj, i dyshuar për kryerjen e 27 vrasjeve me pagesë;
26 Qershor 2014 – Ekzekutim i tipit mafioz i bankierit Artan Santo në zonën e ish-Bllokut në Tiranë;
9 Shtator 2011 – Humb jetën gjyqtari Skerdilajd Konomi, si pasojë e shpërthimit me eksploziv të makinës së tij në rrugën kryesore të Vlorës;
25 Tetor 2010 – Vritet Kryetari i Komunës Tërthorë, Kukës, Remzi Veseli;
2 Maj 2009 – Vritet pranë banesës së tij në Roskovec, Fier, Deputeti i PS, Fatmir Xhindi;
 18 Qershor 2009 – Ekzekutohet me eksploziv në makinën e tij Kreu i PDK në Malësinë e Madhe, Aleks Keka

‘Politika’, ‘biznesi’ dhe ‘krimi i organizuar’ – janë emëruesit kyç të episodeve të mësipërme, të cilat si shumë të tjera si këto kanë qenë një goditje ndaj sigurisë publike dhe sfidë për shtetin. Episode të tilla janë ndjekur gjithmonë nga debate të forta, retorika politike apo edhe aksione politike ose ligjore. Si zakonisht, vëmendja është përqendruar ngushtësisht tek pasojat, dhe aspak te rrethanat të cilat kanë krijuar hapësirat dhe kanë lejuar kriminelët që të përdorin dhunë të tejskajshme. Për fat të keq, akte si këto më sipër nuk përbëjnë risi, pasi ekzekutimet me plumb, eksploziv apo prerje koke nga bandat kriminale kane ndodhur rëndom edhe në të shkuarën duke u shenjuar në memorien kolektive. Megjithatë, në Shqipëri e shkuara vazhdon të përsërisë vetveten.

Përmbledhje e Gjetjeve Kryesore

Pavarësisht se në vendimet gjyqësore mund të referohen automjete luksoze, prona dhe arsenal armësh të sofistikuara në posedim dhe përdorim të të pandehurve, është shqetësues fakti që hetimet dhe vendimet gjyqësore nuk thellohen tek burimet e këtyre të ardhurave, të cilat nuk mund të justifikohen përmes veprave penale si vrasje dhe plagosje për të cilat janë dënuar kryesisht pjesëtarët e këtyre strukturave kriminale.

• Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara të cilat kanë një shtrirje kohore shumëvjeçare të aktivitetit kriminal.

• Në qytetin e Shkodrës dyshohet se veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Ky rreth mund të zëvendësojë “Lazaratin” dhe të kthehet në “hambarin” e ardhshëm të rritjes së kanabisit.

• Në qytetin e Durrësit diskutohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre.

• Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri.

• Në qytetin e Beratit dyshohet se kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.

• Vrasjet e shumta në qytetin e Vlorës dyshohet se kryen për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.

• Në Elbasan po vihet re se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth.

• Së fundmi, organizatat kriminale që merren me trafikun e drogave të rënda po përdorin bizneset legjitime për të “maskuar” aktivitetin e tyre kriminal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here