Thursday, May 9, 2024
Home Politikë Denoncimi i Kokëdhimës: Qeveria, 300 milionë euro për inceneratorët

Denoncimi i Kokëdhimës: Qeveria, 300 milionë euro për inceneratorët

0
943

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, denoncoi vendimin e qeverisë për ndërtimin e tre inceneratorëve të plehrave duke u marrë taksapaguesve shqiptarë 300 milionë euro. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kokëdhima u shpreh se Shqipëria, përmes këtyre inceneratorëve do të djegë plehrat e Europës, duke helmuar popullin dhe duke zhvatur paratë publike për të pasuruar kryeministrin, ministrin e Financave dhe klientët afër tyre.

Postimi në Facebook

Qeveria miratoi tre inceneratorë në Fier, Elbasan dhe Tiranë, me një kapacitet total prej 1140 tonë në ditë, ose 416 mijë tonë në vit, sipas burimeve zyrtare. Për ndërtimin e tyre do të shpenzohen me paratë e taksapaguesve 300 milionë euro, për partneritetet publike-private, formë përmes të cilave do të ndërtohen këta inceneratorë. Shqipëria gjeneron 373 kg mbetje/banor në vit, nga 476 kg/frymë, që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Në vitin 2016 Shqipëria gjeneroi 2,2 milionë tonë mbetje, nga të cilat mbetje të menaxhuara janë 1,3 milionë tonë. Kapaciteti i pritshëm i inceneratorëve në Shqipëri është sa 35% e totalit të mbetjeve të menaxhueshme në vend. Shqipëria pritet të përpunojë përmes incenerimit rreth 145 kg për frymë në vit. Kjo sasi është katër herë më e lartë se në Itali, 12 herë më e lartë se në Greqi dhe 23 herë më e lartë se në Serbi. Vetëm disa vende të industrializuara si Gjermania e Franca kanë nivel më të lartë incenerimi se Shqipëria. Emetimet nga incineratorët shkaktojnë efekte akute (sëmundje sistemike) dhe efekte kronike (afatgjata, kancer etj). Shqipëria, që ka nivel gjenerimi të mbetjeve për frymë ndër më të ulëtat në Europë, do të ketë ndër nivelet më të larta në Europë dhe në Botë të përpunimit të tyre përmes procesit të incenerimit. (Timonieri, së shpejti do t’ia kalojë edhe Gjermanisë e Francës)!

Kjo është një dëshmi e qartë se pas ngritjes së këtyre inceneratorëve, me paratë e taksapaguesve, shtrihet një plan djallëzor për ta kthyer Shqipërinë në një vend ku do të digjen plehrat e Europës. Qeveria e korruptuar e tutkunëve do të paguaje 39 mln euro për inceneratorin e Elbasanit me kapacitet 140 tonë në ditë, 31,7 mln euro për inceneratorin e Fierit me kapacitet 200 tonë në ditë dhe 231 mln euro për inceneratorin e Tiranës me kapacitet 800 tonë në ditë.

Keto koncesione me vlerë 300 milionë euro i janë dhënë një biznesmeni që në vitin 2010 nuk kishte asnjë lek në xhep. Publiku nuk e ka të vështirë të kuptojë se pas këtij biznesmeni qëndrojnë Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i tij i Financave.

ZGJIDHJA në pushtet do të vendosë tatime dhe kontrolle të jashtëzakonshme mbi këto koncesione korruptive, mbi pronarët, përfituesit në pushtet dhe mbi emetimet e gazrave helmuese të inceneratorëve në atmosferë. Vetëm Zgjidhja është forca politike me integritet e besueshmëri, besnike e kauzave të popullit. Partitë e vjetra na kanë mashtruar në çdo palë zgjedhje. Pasi kanë ardhur në pushtet, kanë bërë fiks ato gjëra që thoshin se nuk do t’i bënin dhe nuk kanë bërë ato gjëra që përbetoheshin se do t’i bënin!

ZGJIDHJA do të bëjë ndryshimin, do të shpëtojë mjedisin e Shqipërisë, do t’i çojë përpara drejtësisë këta qeveritarë të korruptuar dhe do t’i japë fund maskarallëkut në vendin tonë!

#ZgjidhjaPërShqipërinë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here