Bisedimet Bushati–Kotzias, Demokracia e Re: U zhvilluan në fshehtësi

0
1044

Në Greqi, partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka reaguar në përfundim të bisedimeve midis ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias që u zhvilluan në Korçë në fundjavë.

Shefi i departamentit të jashtëm të partisë opozitare, Jorgos Kumutsakos, ka akuzuar selinë e diplomacisë greke se çështje të rëndësishme të politikës së jashtme i trajton me një logjike fshehtësie dhe diplomacie sekrete.

“Në kohën që pala shqiptare insiston të parashtrojë çështje inekzistente, ministria e jashtme në thelb nuk u përgjigjet provokacioneve shqiptare”, thuhet në deklaratën për shtyp që nënshkruan deputeti Kumutsakos.

Deklarata njofton se deputeti në fjalë ka kërkuar një tjetër interpelancë me ministrin e jashtëm grek.

Në argumentimin e kërkesës për interpelancë, Kumutsakos u referohet bisedimeve të Korçës dhe deklaratës së përbashkët që u publikua të dielën pasdite.

Duke marrë shkas nga citimi i deklaratës, se gjatë bisedimeve “u shënua progres i rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjeve në çështje të njohura”, Kumutsakos i rikthehet intervistës së ministrit Bushati në emisionin “To Night Ilva Tare”, ku sipas deputetit grek ka thënë edhe se “po diskutohet edhe për çështjen inekzistente të çamëve”.

Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e furishëm të Demokracisë së Re, por megjithatë nuk pati një përgënjeshtrim të qartë nga ministria e jashtme greke”, nënvizon Kumutsakos.

Nisur nga gjithë këto, Demokracia e Re i drejton tri pyetje ministrit të jashtëm:

1. Cilat janë konkretisht “çështjet e njohura” të cilat po diskutohen në kuadër të bisedimeve zyrtare greko-shqiptare.

2. Përse nuk thuhen hapur, gjersa janë “të njohura”? Përse fshihen këto çështje?

3. Nëse, sidomos, në kuadër të këtyre bisedimeve zyrtare diskutohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë gjoja çështja çame?

Opozita ka kërkuar me insistim interpelancë me ministrin e jashtëm, si për negociatat me Shqipërinë, ashtu dhe për ecurinë e zhvillimeve në çështjen e emrit të Maqedonisë, por ministri i jashtëm grek deri tani ka refuzuar me këmbëngulje t’u përgjigjet kërkesave të opozitës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here