Si u arrit ne komunizem te vihej ne skenen e “Migjenit” At Gjergj Fishta

0
983

Në një artikull të vitit 1991 me autor Zef Zorbën i cili u ribotua vitin e shkuar në “Shejzat”, autori tregon se si, pas ardhjes së komunizmit, një grup intelektualësh në Shkodër vendosën që të vinin në skenë dramën “Juda Makabe”, shkruar nga Atë Gjergj Fishta.

Një grup intelektualësh të mbledhur në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës, me dëshirën për të bërë një disidencë ndaj rregjimit, vendosën të vinin në skenë dramën “Juda Makabe”. Në këtë grup intelektualësh bënte pjesë edhe Zef Zorba.

Sipas Zorbës, u zgjodh kjo vepër sepse fund e krye është një akuzë kundër çdo pushtuesi e çdo tradhëtie dhe, çuditërisht, ishte vepra më aktuale që i përshtatej më tepër dallgëve të situatës politike nëpër të cilën po shushatej populli.

Pasi ideja mori përkrahje të gjerë nga populli, fjala shkoi edhe në Ministrinë e Arsimit ku ministri, Sejfullah Malëshova, ithtar i njohur i Fishtës, dha miratimin e tij të pakushtëzuar për këtë shfaqje.

Por miratimi ishte njëra anë e medaljes. Shumë i vështirë ishte problemi i zbatimit, veçanërisht problemi i muzikës skenike, i koraleve dhe i disa solove të domosdoshme.

Në atë kohë, kompozitori i njohur Prenk Jakova ishte në arrest bashkë me familjen e tij, pasi njëri nga vëllezërit e tij ishte arratisur. Pas kërkesës së vazhdueshme drejtuar Komitetit të Shkodrës duke thënë se pa atë nuk mund të realizohej drama e Atë Gjergjit, ai u la i lirë, por familja e tij jo.

Pasi punoi për netë të gjata duke kompozuar, Prenk Jakova e kishte muzikën gati. Ndërkohë në shkollat e qytetit organizatorët morën nxënësit e duhur, të cilët do të luanin rolet e dramës. Ishte Atë Gjon Shllaku, mik i Atë Gjergjit dhe njohës shumë i mirë i veprës së tij i cili dha një ndihmë të çmuar në vendosjen e kësaj drame në skenën e teatrit.

Kështu, me datë 28 nëntor të vitit 1945, pas një prove gjenerale e cila shkoi si mos më keq, me besimin se do ia dilnin, në skenën e teatrit të Shkodrës u vendos “Juda Makabe”. Zef Zorba kujton të pranishmit që duartrokisnin, qanin, buzëqeshnin e gëzonin.

Drama u shfaq për tre ditë me radhë dhe më pas u vu në skenë edhe për grupet partizane në Shkodër.

Kur po bëheshin gati të shkonin në Tiranë, një urdhër i prerë, erdhi dhe ndaloi përfundimisht “Judën Makabe” dhe çdo vepër të atë Gjergjit.

Të gjithë ato që ishin pjesë e realizimit të dramës, kujton Zorba, u mërzitën shumë. Nuk u desh shumë kohë që të gjithë të internoheshin, burgoseshin, dënoheshin e pushkatoheshin

shkoder.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here