Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë sot në tregun e brendshëm valutor, duke u luhatur pranë nivelit më të ulët në katër vitet e fundit.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 107.67 lekë, me një rënie prej 0.61 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, duke vijuar nënçmimin e nisur prej disa ditësh radhazi. Dollari i është larguar niveleve të larta prej 130 lekëve që arriti në fillim të vitit 2016.
E dobët po vijon të mbetet dhe euro, e cila pavarësisht rritjes së dobët të ditës së sotme, me 0.03 lekë, këmbehet në kuotën e 133.6 lekëve.
Në bursat ndërkombëtare euro ka arritur në një nivel 1.24 dollarësh, më i larti që prej dhjetorit 2014, pasi kreu i Bankës Qendrore Europian bëri komentet e tij për inflacionin, duke thënë se nuk do të ndërhynin në kursin e këmbimit të monedhave.
Por, si shpjegohet që në tregun e brendshëm euro nuk po rritet dhe po zhvlerësohet me shpejtësi dollari, i cili ka gjithnjë luhatje më të mëdha pasi luan rolin e amortizatorit në ruajtjen e raporteve të këmbimit me tregjet ndërkombëtare (raporti 133.6/106.67=1.24, aq sa ishte euro ndaj dollarit në bursat ndërkombëtare)?
Aktorët e tregut pohojnë se oferta për valutë vijon të mbetet e lartë në tregun vendas ndërsa kërkesa për monedhën vendase është relativisht e vogël.
Një dukuri që po konstatohet në janar është një rritje e kërkesës për blerje të shtëpive në kryeqytet, të cilat shiten në euro dhe në një pjesë të madhe në cash, çka tregon se një sasi e madhe e monedhës së përbashkët po qarkullon në treg. Kjo ka çuar në një rritje të shpejtë të çmimit të shtëpive mesatarisht me 100-150 euro për metër katror.
A është koha më e mirë për të blerë dollarë
Teksa dollari po bie me shpejtësi, kjo është pozitive për të gjithë ata që duan të bëjnë blerje online, pasi për të njëjtën sasi dollarësh duhen më pak lekë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ai këmbehej me 128 lekë.
Dollari i ulët është pozitiv dhe për naftën në vendin tonë, pasi ky produkt blihet nga tregtuesit në dollarë, duke e bërë më të lirë atë. Edhe këstet e kredive në dollarë janë më të lira.
Të goditur janë të gjithë ata që eksportojnë në dollarë, kryesisht në SHBA, por që zë një peshë shumë të vogël në totalin e shkëmbimeve tregtare, ku mbizotëron euro. Ata që paguhen në dollarë marrin gjithashtu më pak të ardhura, kur i konvertojnë në lekë.