Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, ka sqaruar disa kritere që duhet të zbatojnë disa fermerë, per t’i kthyer banesat e tyre, në qendra tërheqëse për turistët.
“Do të ketë më shumë ekonomi, më shumë mirëqenie, për të pasur mundësi që banorët e zonës rurale, të kenë më shumë arsye për të jetuar atje. Kjo është një nismë e përbashkët, përgëzoj ministrin Peleshi për një nismë të tillë, bëhet fjalë për një bashkëpunim mes 4 ministrish, për të paraqitur 100 fashatrat e parë shqiptarë, që në vetvete pasqyrojnë bukurinë e fshtatit tonë.
Jo se nuk do të ketë fshatra të tjerë ku do të investohet, por këto do të shërbejnë si magnet për turizmin. Kemi përcaktuar në çdo bashki 100 fshatrat e parë për t’i marrë si simbole. Ne do të përpiqemi të krijojmë lehtësira fiskale për ta, për të pasur mundësinë, që me disa kritere, të ketë një certifikim nga ministria e turizmit për ta si qendër agro-turizmi. Për shembull ne kemi zona të shkëlqyera në malet e Shqipërisë.
Këto qendra duhet të garantojnë fjetjen, prodhimet e fermës apo zonës përreth dhe të ofrojnë kulinari, restorant dhe pije të zonës apo të vetë lokalit. Duhet të kenë një sipërfaqe 2 hektarë prodhimi produktesh bujqësore. Po ashtu, qendra duhet të ketë disa kushte hotelerie, si të paktën 6 dhoma dhe jo më shumë se 30 dhoma, në mënyrë që të ruhet identiteti i fshtatit”.
Klosi bëri të ditur se në zonën e valbonës ka kërkesa për të ndërtuar edhe hotele me pesë yje.
“Kryeministri mori angazhim publik, që këto njësi të kenë të njëjta lehtësi, si të turizmit të hotelerisë me pesë yje. Këto karakteristika që ju përmenda, nuk e di a i sigurojnë subjektet e pakta që janë, por mendoj që do të ketë një boom të zhvillimit të biznesit të agro-turizmit. Shpresoj shumë që 2018 të jetë një vit i madh pune për zhvillimin e turizmit dhe 2019, një vit brom-i. Objektivi ynë është që prirja për ta shtuar me 20% numrin e vizitorëve të dyfishohet. Shqipëria është futur në tregun e turizmit. Shtimi i numrit nuk vjen vetëm nga politikat tona, por politikat tona duhet të bëjnë që të shtojnë edhe më shumë para. Turimzi i aventurës është më i shtrenjti, pasi duan pajisje, guidë, etj. Edhe hotelet duhet të bëjnë të mundur që të kemi një turizëm më të shtrenjtë dhe të realizojmë kapacitetet tona për një numër më të ulët turistësh me një përfitm më të madh. Nuk duhet të bëjmë gabimet e të tjerëve, që turistët të mos vijnë më pais ta shohin një herë Shqipërinë” – tha Klosi.
Kur pritet të nisë certifikimi i fermave?
“Certifikimi është i mundshëm, ne jemi në punë e sipër për të përcaktuar kriteret më të plota dhe të detajuara” – përfundoi ministri.