Ndryshimet në polici, ja furtuna që pritet në nivel drejtuesish qarqesh…

0
872

 

Policia e Shtetit pritet të përfshihet nga një furtunë ndryshimesh në nivele drejtuesish.

Burime nga policia dhe Ministria e Brendshme bënë të ditur se brenda 3 javësh, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pritet të firmosë ndryshimet në kupolën drejtuese të policisë në rang drejtuesish qarqesh, shefa komisariatesh dhe nivelet e tjera të drejtimit.

Burimet shprehen se pothuajse të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe do të lëvizin, sikundër edhe shefat e komisariateve.

Mësohet se lëvizjet do të bëhen edhe paralelisht, pra që një drejtues policie që ka rezultate në një qark do të shkojë në një tjetër.

Pas marrjes së detyrës, Ardi Veliu ka nisur një analizë mbi punën e secilit prej drejtuesve të policisë në qarqe, referuar goditjes së grupeve kriminale, zbulueshmërisë së krimeve apo ngjarjeve kriminale si dhe parandalimit të tyre.

Në sitë pritet të kalojnë të gjithë drejtuesit vendor të policisë, ndërsa duket se kjo analizë nuk ka lidhje me vetingun që pritet të nisë në rradhët e uniformave blu.

Burimet bëjnë me dije se ndryshimet pritet të nisin nga dy prej qarqeve më problematike në vend, Fierin dhe Vlorën, për të vijuar më pas në të gjithë vendin.

Në këtë mënyrë duket se drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm do të vendosin në krye të policisë në qarqe emrat që do të përzgjidhen prej tyre, duke krijuar një staf të ri në drejtimin e uniformave blu.

“Do të synohet të përmbyshet objektivi për godtjen e grupeve kriminale dhe të pasurive që burojnë nga krimi, duke krijuar një bashkëpunim sa më efikas me strukturat e hetimit dhe agjensitë ligjzbatuese”, shprehen burimet.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në prani edhe të kryepolicit Ardi Veliu, shprehu pakënaqësi lidhur me punën e policisë në Fier dhe Vlorë.

“Nuk jemi fort të kënaqur me punën e strukturave të drejtorisë vendore të policisë së Vlorës. Qoftë në nivelin e sektorëve, seksioneve në drejtorinë vendore dhe të komisariateve dhe unë besoj që brenda kompetencës së tij, Drejtori i Përgjithshëm do të shohë me shumë kujdes, të bëjë analizat përkatëse dhe shumë shpejt do të marrë vendimet e duhura.

Konstatoj me shqetësim se qoftë në Fier dhe në mënyrë të veçantë në Vlorë ka disa ngjarje që lidhen me humbjen e jetëve, me disa vrasje të rënda të cilat për fat të keq janë ende pa autorë”, tha Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here