Çështja çame, Idrizi: Heshtja ka pllakosur “trimëroshët” e politikës shqiptare

0
650

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka shpërthyer në kritika ndaj politikës shqiptare duke theksuar se edhe pse fqinjët grekë kanë shtrirë duart deri në Tiranë, ata i ka pllakosur heshtja duke tradhtuar interesat e vendit tonë.  Deklaratat e Idrizit,  erdhën në një aktivitet të Shoqatës Çamëria, ku dekoroi me certifikatë mirënjohje disa personalitete të politikës dhe shoqërisë civile. Mes tyre ish-presidentët Moisiu dhe Nishani.  

Duke folur në një aktivitet që hapi javën çame, kryetari  i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, adresoi kritika të forta ndaj partive politike shqiptare, duke theksuar se ata po tradhtojnë vendin dhe kanë mbyllur gojën për çështjen Çame.

Idrizi tha se Greqia ka shtrirë duart deri në Tiranë, ndërsa politika shqiptare hesht.

Shpëtim Idrizi: “Fatkeqësisht u ndeshëm me tradhëtinë e rradhës. Duart e fqinjit të përfshira në krim për fat të keq u zgjatën deri në Tiranë. Sot heshtja i ka pllakosur trimëroshët e politikës shqiptare që i gafurren njëri-tjetrit të dehur pas pijes së pushtetit dhe zhburrërohen dhe të mbesin në dorë sa herë që ulen përballë Greqisë”.

Në kuadër të javës çame, e cila starton nga data 18 deri me 23 qershor, Shoqata Çamëria  ka  dekoruar në shenjë mirënjohje   disa personalitete të shquara në politikë dhe shoqërinë civile, mes tyrë ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bujar Nishani.

Alfred Moisiu: “Ka disa momente kur njeriu emocionohet dhe duke falenderuar shoqatën ‘Çamëria’ dhe Partinë për të Drejtat e Njeriut për këtë nder që më bëtë sot duke më vlerësuar kontributin që kam bërë dhe do ta bëj sa të jem gjallë sepse unë i përkas një brezi, familjeje, në shkollë e shoqëri ne jemi edukuar të mos harrojmë as Kosovës, as Gjermanisë. Por të gjithë duhet që me drejtësi ta shikojnë njëri-tjetrin dhe marrëdhëniet ti kemi të drejta. Unë një këshillë kam si burrë i vjetër për çamët që duhet të bashkoheni.”

Bujar Nishani: “Jam i nderuar që bëhem pjesë e kësaj vëmendjeje, e këtij angazhimi dhe këtij nderimi nga ana juaj. E kam kuptuar se çështja çame nuk është një çështje urrejtje, revanzhi apo hakmarrje por është një çështje e drejtësisë, dinjiteti, integriteti, është një çështje prosperiteti, është një çështje evropiane.”

Me motivacionin, se kanë ndihmuar për të çuar përpara zgjidhjen e çështjes Çame, Shoqata Çamëria dekoroi dhe presidentin e OSCE, Riccardo Migliori, politikanin kosovar Fatmir Limaj, analistin Kim Mehmetaj dhe gazetarin Marin Mema.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here