Saturday, May 18, 2024
Home Arsim Fati i Universitetit të Kukësit, 4 vjet më parë i mbushur me...

Fati i Universitetit të Kukësit, 4 vjet më parë i mbushur me studentë ndërsa sot i mbuluar nga ferrat

0
898

Katër vjet pas mbylljes, godina e filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit është braktisur dhe po shkon drejt rrënimit të plotë. Për 7 vjet aty studiuan disa qindra të rinj nga verilindja duke i dhënë qytetit gjallëri, ndërsa nga ana tjetër ulnin shpenzimet për familjet e tyre. Por sot në vend të studentëve aty ka vetëm ferra, shkurre e mbeturina, pasi thirrjet për ta rihapur nuk janë pranuar.

Ferrat, mbeturinat dhe grafitët kanë mbuluar godinën ku deri katër vjet më parë hynin e dilnin studentë.

Në 7 vjet në Filialin e Universitetit të Tiranës, studiuan disa qindra të rinj nga zonat verilindore në Infermieri, Gjuhë të Huaj dhe Administrim-Biznes.

Por tashmë godina që i jepte gjallëri universitare Kukësit është lënë në harresë.

Shkëlqim Basha: Kukësi ka pasur më shumë gjallëri, më shumë studentë, më shumë lëvizje, më shumë punë. Fast Food-et punë, dyqanet punë. Tani edhe ta shikosh është në gjendje të mjerueshme.

Situata aktuale e objektit  është një këmbanë alarmi se shumë shpejt ajo mund të degradohet, duke u kthyer në një objekt pa vlerë, për shkak të braktisjes.

Banorët e qytetit të Kukësit por edhe Hasit, Tropojës dhe Pukës, të cilët studionin në këtë filial, ngritën zërin për rihapjen e tij, madje edhe Bashkitë dhe Këshilli i Qarkut, por pa sukses.

“Tani pa Universitet të gjithë kërkojmë të ikim, të largohemi nga këtu, sepse ai sjell shumë ndryshime në jetën e përditshme të njeriut”.

Filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës u çel në vitin 2007 me një numër të kufizuar studentësh, por edhe pse vit pas viti numri i tyre erdhi në rritje, ai u mbyll në vitin 2014.

Në vazhdimësi, banorët e qarkut verilindor kanë kërkuar rihapjen, por zyrtarisht nuk ka pasur asnjë tentativë për ti rikthyer kukësit degën e Universitetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here