Fadil Kasemi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildes Hafizi, ka dëshmuar seancën e sotme gjyqësore, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, se si është njohur me ish-bashkëshorten.

Përballë trupit gjykues, 53-vjeçari ka treguar se ishte njohur me atë që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij, në fund të vitit 2000, kur ishte kthyer nga emigrimi.

Kasemi ka rrëfyer se ka investuar për shkollimin dhe punësimin e ish-bashkëshortes, ndërsa për 15 vite ka paguar edhe qiranë e banesës së prindërve të saj.

Sipas tij, problemet e para në çift kanë nisur në 13 Shkurt të 2015. Kasemi  tregoi se kishte ftuar bashkëshorten e tij të festonin Shën Valentinin, por Hafizi e kishte refuzuar me argumentin se do të festonte me një shoqen e saj.

Pas kësaj gjykata ka vendosur të zhvillojë seancën me dyer të mbyllura, pasi i pandehuri ka kërkuar të tregojë 4 momente të jetës së tyre në çift, të cilat Kasemi i ka cilësuar si intime.

Prezent në sallën e gjyqit ishin edhe dy ekspertë mjeko-ligjorë që pasi të dëgjojnë dëshminë, do të përcaktojnë nëse Kasemi ka probleme të shëndetit mendor ose jo.

Ka qenë avokati mbrojtës që pretendon se klienti i tij ka shfaqur probleme dhe për këtë ka kërkuar që gjendja e tij mendore të vlerësohet nga ekspertët.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Tiranë më 31 gusht të vitit të kaluar, në zonën e “Xhamllikut”. Gjyqtarja Hafizi, pasi doli nga një parukeria, po hipte në makinë e saj. Në këtë kohë, Kasemi i është afruar duke e qëlluar me një pistoletë për vdekje.

LEAVE A REPLY