Dom Gjergj Meta: Shqiperia nje barke qe fut uje kudo, pervecse tek kabina pilotit. Ne mbytemi, ata i servilosen piloteve

0
604

“Ende në det të hapur …

Në jetën time dëshiroj të gjej motive për të qenë një paqyrues drite e jo terri, shprese e jo dëshpërimi. Madje pasqyrues nuk është as fjala e duhur, por tejçues, në kuptimin që më parë përshkohem vetë e më pas kjo dritë e shpresë kalon tek të tjerët. Nuk e di sa ia dal.

Situata që po kalojmë si shoqëri nuk është sigurisht më e mira. Ngjarjet e fundit na shfaqin një shoqëri ende të papjekur, madje shumë problematike. Refuzoj të mendoj e të besoj se të mirët janë të gjithë nga njëra anë e të këqinjtë n’anën tjetër. S’paku nuk ma lejon inteligjenca e po ashtu vëzhgimi i kujdesshëm.

Nuk është më mirë situata në realitete të tjera sigurisht.

As Kisha katolike, pjesë e së cilës jam vetë, nuk është në çastin e saj më të mirë, madje ka prej tyre që thonë se, pas krizës luterane të vitit 1517, është kriza më e madhe që ka pësuar. Jam pjesërisht dakort me këtë konstatim edhe pse nuk është vendi t’i shpalos këtu arsyet.

As shoqëritë europiane nuk janë aq mirë e po kalojnë probleme të thella që nuk e dimë se ku do të çojnë. E kaq mjafton, për të mos u hapur në shoqëri të tjera jashtëeuropiane.

Le të kthehemi te ne, te shoqëria jonë shqiptare aktuale me anë të një metafore.

Jemi ende në det të hapur. Anija po luhatet e dallgët janë të mëdhaja. Kjo anije fut ujë nga shumë anë. Ndoshta në kabinën e pilotit jo, por sigurisht në pjesë të tjera të saj. E vërteta tragjike e kësaj metafore është se askush nuk po kujdeset të gjejë ku fut ujë anija, por të gjithë shohin te kabina ku është timoni.
Disa po mundohen t’i shërbejnë pilotit e disa t’ia marrin nga dora timonin për t’ia dhënë një piloti tjetër. Të gjithë u shërbejnë pilotëve, herë me serivilizëm e herë me devocion, por jo anijes që ka brenda shumë udhëtarë. Ajo është në rrezik e jo piloti.

Mendoj se metafora nuk është shumë e vështirë. Ajo gjithsesi mbetet një metaforë e asgjë më shumë. Një metaforë ka nevojë të zbërthehet në elementë jetësorë për të parë se cilat mund të jenë ato zgjidhje që na ndihmojmë të dalim nga situata.

A duam ta nxjerrim anijen nga deti i hapur? A duam ta çojmë Shqipërinë në portin europian? Kemi 28 vjet që lundrojmë kuturu. Kemi mësuar si Uliksi (Odiseja) në rrugën për në itakë. Nuk po gjejmë ku gjendet fari edhe pse nga larg ia shohim shkëlqimin. E kjo jo për faj të sirenave, por për shkak të rremuesve që joshen prej këngës së tyre mashtruese.

Kemi përgjegjësi të gjithë për shoqërinë tonë, për vendin tonë. E vetëm bashkë mund ta shpëtojmë anijen nga mbytja. E mundemi ta shpëtojmë.”

+ dom Gjergji

l

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here