Banka e Shqipërisë prezantoi ditën e sotme dy prerje të reja të kartëmonedhave shqiptare, të cilat dalin zyrtarisht në treg duke nisur nga 30 qershori i 2021.

Në një konferencë për media, Guvernatori Gent Sejko tha se BSH prezanton sot prerjet e reja të 1 mijë lekëshit dhe 10 mijë lekëshit, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare.

“Kartëmonedha më e re, me vlerë 10 mijë lekë, prezantohet sot. BSH prezanton sot dy kartëmonedha të reja, prerjet 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Hedhja në treg për herë të parë përfaqëson në vetvete shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe tregues të tjerë, që lidhen me trajtimin e parasë. Kjo shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për ta pasur. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë të parasë, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, si dhe duke rritur efikasitetin e BSH. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e BSH edhe për të administruar një stok, për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut”, tha Sejko.

Më tej, Guvernatori Sejko përmendi disa veçori të këtyre kartëmonedhave të reja, duke u shprehur se “kartëmonedha 1 mijë lekë del me një dizajn të rifreskuar, duke pësuar ndryshime që lidhen me të gjitha elementët në tërësi. Kartëmonedha 10 mijë lekë mban simbolet e identitetit tonë kombëtar, shoqëruar me autorin e Himnit Kombëtar Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni). Kartëmonedha 1 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, ndryshon ngjyrë në kënde të ndryshme shikimi, si dhe shiritin e ndritshëm në pjesën e pasme. Kartëmonedha e re 10 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, hologramën e shoqëruar me efekte të ndryshme optike”.

LEAVE A REPLY