Portali “Mësues për Shqipërinë” i hapur deri më 30 qershor, ja risitë e këtij viti

0
607

 

Që nga viti 2014 nga portali ”Mësues për Shqipërinë”, janë 10693 arsimtarë në total që janë të punësuar përmes transparencës dhe meritokracisë si të vetmet kritere në punësimin e mësuesve. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit, se mund të aplikojnë në portalin “Mësues Për Shqipërinë” deri në datën 30 qershor 2021. Kushi ka lajmëruar edhe disa risi që vijnë këtë vit në lidhje me procedurat e emërimit të mësuesve, që vijnë si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme.

“Së pari, përveç kandidatëve të rinj, në portal mund të marrin pjesë edhe mësuesit që janë në sistem, për të pasur mundësi për lëvizje paralele jo vetëm në fund të vitit, por për të konkurruar edhe për vendet e lira që krijohen gjatë vitit, pra duke i shfrytëzuar të dyja fazat e konkurrimit, edhe me dosje, edhe me testim. Gjithsesi, pavarësisht rezultatit në testim, mësuesi ka të drejte të ruajë vendin e tij aktual të punës. Së dyti, si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të sindikatave, ne kemi përfshirë në vlerësim edhe vjetërsinë e punës në mësimdhënie, si pjesë e dosjes, edhe për lëvizjen paralele në fund të vitit, edhe për aplikantët në portal, duke i dhënë kështu më shumë peshë eksperiencës dhe kontributit tuaj”.

Për vlerësimin e mësuesve të sistemit parashkollor që aplikojnë në portal, janë parashikuar që të ngrihen në zyrat arsimore komisione të përbashkëta me njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të pasur akoma më shumë transparencë në këtë proces. Udhëzimi ofron mundësi punësimi në arsimin bazë edhe për specialistët e arteve, nëse nuk do të ketë mësues në portal për këto lëndë. Duke theksuar se vlerësimi i portalit bazohet pa dyshim në meritokraci dhe transparencë, ministrja Kushi bën thirrje që të aplikojnë në Portalin “Mësues për Shqipërinë”.

”Që prej fillimit të funksionimit në vitin 2014, portali ”Mësues për Shqipërinë”, ka siguruar punësimin e mësuesve në sistemin arsimor bazuar në meritokraci dhe transparencë. Falë tij, lartësohet dita-ditës figura e nderuar e mësuesit, duke shmangur nepotizmin dhe ndikimin e politikës”.

Në vitet 2014-2015, nëpërmjet tij janë punësuar 1113 mësues, në vitet 2015-2016 janë punësuar 1421 mësues, 2016-2017 1186 mësues, 2017-2018 654 mësues, 2018-2019 1730 mësues, 2019-2020 1997 mësues dhe megjithëse jemi akoma në fillimet e vitit 2021, për periudhën 2020-2021 u punësuan 2592 mësues të rinj që u përfshin në sistemin arsimor nëpërmjet këtij portali. Në vitin 2018 portali “Mësues për Shqipërinë” është bërë pjesë e ligjit për Arsimin Parauniversitar, ndërsa nga viti në vit ai ka ardhur duke u konsoliduar gjithnjë e më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here