Hidhet shorti i Ligës së Kampioneve të Europës në Futboll Femra/ Vllaznia me fat, kalon në turin e dytë pa kundërshtar

0
686

 

Hidhet shorti i Ligës së Kampioneve të Europës në Futboll Femra
Vllaznia me fat, kalon në turin e dytë pa kundërshtar
Vllaznia, kampionia e Shqipërisë në futboll për femra është me fat. Mes 43 skuadrave pjesëmarrëse të ndara në 11 grupe, për ekipin kuqeblu që në bazë të koefiçentit renditej i 12-ti në vazon e parë, shorti për Ligën e Kampioneve të Europës i hedhur mesditën e sotme në Nion të Zvicrës ka përcaktuar që skuadra kuqeblu të kalojë turin e parë direkt pa pasur nevojë të ndeshet fare me kundërshtar. Sipas formulës së UEFA-s, Vllaznia e kualifikuar direkt në turin pasardhës është në pritje të ndeshet me fituesen e çiftit mes kampioneve të Polonisë dhe Hungarisë. Nga sa behet e ditur, përballjet e grupit në Ligën e Kampioneve, Vllaznia do t’i luajë në Poloni. Në komunikimin që TV1 Channel pati me presidentin e Vllaznisë në futboll femra, Lazër Matija, ai u shpreh i kënaqur me verdiktin e shortit. Sipas tij, skuadra kuqeblu që ai financon me sukses prej vitesh është e përgatitur dhe shumë e motivuar që në këtë pjesëmarrje europiane, Vllaznia të ecë sa më shumë në turet përkatëse. Falë nivelit dhe cilësisë së shfaqur në fushën e lojës, Vllaznia e Shkodrës tashmë nuk është vetëm një skuadër absolute në kampionatin shqiptar teksa ka fituar plot tetë herë radhazi titullin kampion të Shqipërisë, por në të njëjtën kohë nuk është e panjohur edhe në arenën ndërkombëtare. Kujtojnë se sezonet e fundit europiane, skuadra kuqeblu arriti të futej në 32 skuadrat më të mira të Europës, çka është arritja më e madhe e një skuadre shqiptare në pjesëmarrjet e kompeticionit europian. Arritje këto që pritet të përsëriten edhe në këtë edicion, madje, pse jo për të shkuar edhe më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here