Saturday, May 18, 2024
HomeSportTjetër fitore e Vllaznisë në Futsal

Tjetër fitore e Vllaznisë në Futsal

-

Vllaznia në futsallë e ka nisur në mënyrën më të mirë Kampionatin Kombëtar, kur në dy ndeshjet e para ka arritur të dalë fituese.  Madje, kur fitore në fjalë janë realizuar që të dyja në transfertë, ato marrin edhe më shumë vlera. Kështu, pas fitores së parë të realizuar ndaj ekipit të Flamurtarit të Vlorës, këtë radhë fitorja tjetër eshte marre ndaj Ilirisë. Trajneri i kësaj skuadre, Bujar Celufaj, një ish portjer i njohur në kampionatet e mëparshme të kësaj disipline sportive, e ka filluar lojen me formacionin e tij më të mirë duke pasur në portë Rragamin, për të vijuar më pas me Gjoklajn, Çelen, Mandin, Fishten. Falë një goli mjeshtror të shënuar nga Besfort Gjoklaj, pjesa e parë e kësaj ndeshje është mbyllur në avantazhin e kuqebluve të Vllaznisë me rezultatin 0 me 1. Futbollistët e Ilirisë, të përkrahur edhe nga tifozëria vendase nuk pajtohen me rezultatin dhe duke e rritur në mënyrë të ndjeshme nivelin e lojës arrijnë të shënojnë dy gola në portën e Vllaznisë kundrejt edhe një tjetri të shënuar nga shkodranët me të njëjtin autor, Gjoklaj. Me barazimin 2 me 2 futbollistët e Ilirisë dukej se ishin të kënaqur sepse me këtë rezultat përballë një Vllaznie që në këtë sezon futbollistik është futur me objektiva për të synuar trofeun, konsiderohej rezultat pozitiv. Por, nuk ka menduar kështu skuadra kuqeblu, e cila në minutat e fundit, nën udhëzimet e trajnerit Celufaj që aktivizon nga stoli Osmanin dhe Mesin, e ka rritur në mënyrë të ndjeshme presionin në portën vendase. Rastet për shënimim janë të shumta, dhe pas dy shtyllave të tronditura nga Çela dhe Mandi, vjen edhe goli i tretë sërishmi me Gjoklaj, i treti gol për të në këtë ndeshje, gol që vulos rezultatin e përgjithshëm 2 me 3 në favor të Vllaznisë.  Në këtë mënyrë, me dy fitore radhazi, Vllaznia kryeson me pikë të plota tabelen e klasifikimit. Kalendari e vendos Vllazninë të luajë sërish në transfertë, këtë radhë ndaj Tiranes, një përballje kjo që për trajnerin Celufaj, Vllaznia do të kërkojë ta kalojë sërish me sukses, që në fakt, nëse arrihet të bëhet realitet, atëherë me tre fitore radhazi, për kuqeblutë do të thotë se janë pretendendet kryesorë për fitimin e titullit kampion.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts