Ish ambasadori i Shqiperise ne Vatikan u nda nga jeta ne moshen 55 vjecare
I është dhënë lamtumira e fundit, ish ambasadori i të Shqipërisë në Vatikan Rrok Logu, i ndarë nga jeta në moshën 55 vjeçare. Mesha e shenjtë në nderim të tij u kremtua në kishën “Françeskane” ku morën pjesë familjarë, miq dhe bashkëpunetore ndër vite.
Vlerësime për figurën e diplomatit Logu dha edhe ish kryetarja e kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, e cila perveç bashkepunimit me të, ka patur njohje të hershme familjare.
Më herët në teatrin “ilyricum” u zhvilluan homazhet në nderim të ish ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan dhe Maltë, ku në pamundësi për të qënë i pranishëm, kryeministri i Shqipërise Edi Rama dërgoi një buqete me lule dhe mesazhin ngushëllues për familjen. Ndërsa ministri i jashtëm Ditmir Bushati, percolli ngushellimet e tij për ikjen parakohe nga kjo jete të një prej bashkëpunetoreve të mirë, siç e quajti ai.
Rrok Logu lindi në 23 gusht 1962 në qytetin e Shkodrës, kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Tiranës. Ai ishte anëtar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, si dhe mban firmën si autor i një sërë artikujsh me tematika mbi inxhinierinë elektrike dhe mekanike në vend e në Ballkan, në buletine e revista të ndryshme shkencore. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shtetit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë. Për veprimtarinë e vyer në këtë drejtim, ai është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare.