Friday, May 17, 2024
HomeSportLilaj, “adoleshenti” i heshtur që bindi Kristian Panuçin!

Lilaj, “adoleshenti” i heshtur që bindi Kristian Panuçin!

-

Mes ndonjë ndeshje golfi me miqtë dhe pushimeve me familjen, DVD dhe tv nuk kanë munguar në shtëpinë e trajnerit kuqezi, që rikthen në kombëtare lojtarin më të dalluar të Superligës

 

Nëse e shihni në rrugë, do t’iu duket si një gjimnazist i cili sapo ka mbaruar orën e gjashtë ose ka “lënë” fizkulturën… i shkurtër, i heshtur, por sidomos me një pamje krejt të zakonshme dhe serioze. E megjithatë, mos u habisni që në një fraksion momenti ka parë gjithçka po ndodh përreth tij. Dhe, nëse perimetri i ditës së zakonshme për të është një “lojë fëmijësh”, në fushë komandon çdo aksion dhe manovër të Skënderbeut. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe paraqitjet fantastike në 8 javët e para të kampionatit, edhe nga pika e bardhë e penalltisë, në atë që duhet të jetë “ruletë”, ai ka kapur gjithmonë numrat që ka vendosur, duke e depozituar topin në rrjetë. Sepse, nëse Sabien Lilaj gabon, përbën lajm… Nëse shënon, thjesht ka bërë “detyrën”. Madje, ekziston një legjendë urbane, ose gojëdhënë se Ilir Daja, sa herë që mbledh skuadrën, Lilajt i thotë se mund edhe të mos dëgjojë, fundja mesfushori i di detyrat dhe atë që do të bëjë, shpesh edhe duke improvizuar.

Nuk është magjistar, por i afrohet shumë. Topin e trajton sikur të ishte një pjesë e familjes dhe jetës së tij. Modeli është Pirlo por në Shqipëri, pa frikë, mund të quhet i tillë. Dhe, mëkati më i madh është sigurisht karriera e tij, që mund të ishte shumë më e rëndësishme jashtë vendit. Jo se nuk e provoi, por në atë kohë, ishte tepër i ri. E megjithatë, në Korçë ka gjetur paqen që i duhet: familja, miqtë, ushqimi, qetësia dhe sidomos klubi i zemrës, Skënderbeu. Lilaj është i tillë, i urtë edhe kur e pyet. Madje, nëse i kërkon diçka më shumë përgjigjet me një “nuk e di, të shohim…”. Nuk i pëlqen të planifikojë, jashtë fushe. Mjaftohet duke e bërë brenda saj, me mesazhe të qarta… Dhe, më në fund, një nga këto mesazhe, ka përfunduar aty ku duhet: të kombëtarja. Sepse, sipas burimeve të sigurta të gazetës “Sport Ekspres” pranë trajnerit Kristian Panuçi, Sabien Lilaj do të thërritet për miqësoren e nëntorit përballë Turqisë, në Antalia. Një ftesë që është mëse e merituar dhe që mund të shërbejë për t’i dhënë një nimfë më shumë Lilajt, i cili ndoshta ka elizirin për të jetuar sa më gjatë, në karrierën e tij.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts