“Beteja per dekriminalizimin e politikes dhe opozita kunder qeverise”
Me një rezolutë ku janë të listuara 8 pika të axhendës politike të lëvizjes socialiste për Integrim, mbylli punimet konventa kombëtare e kësaj partie. Mes tyre renditet beteja për dekriminalizimin e politikës dhe opozita pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes.
1- Mandatojmë Kryetarin e Partisë, Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e LSI, që të jenë në krye të betejës për dekriminalizimin e politikës, të luftës së hapur ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
- Nuk do të pranohet asnjë aleancë me grupe apo individë në politikë, që kanë probleme me drejtësinë.
- Mbështesim plotësisht Kryetarin e Partisë dhe forumet drejtuese të LSI, që të drejtojnë Partinë në bashkëpunimin politik me parti, aktorë të shoqërisë civile e faktorë të tjerë politikë e shoqëror të të gjitha niveleve, që janë të gatshëm për një opozitë të qartë e pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes. Bashkimi bën fuqinë!
- Aleancat anti krim dhe antidrogë nuk mund të pengohen kurrsesi nga asnjë ndasi ideologjike. Vendimarrja politike e Kryetarit, e KDK dhe e Kryesisë të përshtatet në varësi të zhvillimeve konkrete politike në vend, por në asnjë rast të mos pranohet asnjë marrëveshje apo kompromis me bashkëpunëtorët e krimit të organizuar dhe drogës.
- Kanabizimi i vendit dhe vendosja e Shqipërisë në hartën e trafiqeve më të rrezikshme ndërkombëtare të drogës është projekti më kriminal me të cilin Rilindja nxiu e damkosi vendin. Konventa e denoncon një zëri këtë projekt si anti kombëtar, rrënues dhe të pa pranueshëm
- LSI e ka propozuar dhe mbështet fort dhe pa asnjë hezitim heqjen e plotë të imunitetit për çdo zyrtar të shtetit! Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit!
- LSI do të mbështesë çdo prokuror, oficer të policisë gjyqësore apo gjykatës, që në bazë të ligjit kërkon të hetojë politikanë të cilitdo subjekt e grupim politik qofshin në maxhorancë apo opozitë.
- LSI e konsideron bashkëpunimin me Rilindjen si të pa mundur. Ai është një grup në funksion të interesave të krimit e drogës, të provuara këto gjerësisht. Bashkëpunim me socialistët e thjeshtë, por jo me rilindjen.