Si përfitohet pension ​më i lartë nga pagesa e kontributeve

0
2392

 

Të gjithë personat që janë në prag pensioni, mund të përfitojnë të ardhura më të larta, duke paguar periduhat e kaluara që nuk kanë derdhur siguracionet. ISSH bën me dije, nëpërmjet manualit të kontributeve, se çdo person mund të paguajë sigurim vullnetar për periduhat e kaluara, ose mund të paguajë kontributet për një pension më të lartë. Gazeta sjell sot manualin e plotë të ISSH, për mënyrën se si paguhen kontributet për të përfituar pension më të lartë dhe dokumentat që duhen.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara? Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha e studimeve pasuniversitare është me pagesë. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojne ato nëpërmjet sigurimit vullnetar. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve).

Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara: – Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension. – Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura? Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent. Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura:

a) Personat e vetëpunësuar – sigurohen me pagë minimale mujore 24 000 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 5 184 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.

b) Të punësuarit – sigurohen me pagë minimale mujore 24 000 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 5 184 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.

c) Punëdhënësit – sigurohen me pagë minimale mujore 24 000 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, dmth sigurim me kuotë fikse 5 184 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura:

– Pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara.

Dokumentacioni dhe procedurat për t’u siguruar
Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme:

a) Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit.

b) Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon.

c) Fotokopje të letërnjoftimit elektronik / kartës së identitetit. Nëse personi i interesuar bie dakort për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Duke disponuar këtë “Urdhër veprim” personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore.

Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka.

Dokumentat për të vetpunësuarit në bujqësi
I/e vetëpunësuari/a në bujqësi paraqet tek inspektori përkatës i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi këto dokumenta: – Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Vërtetimin mbi tokën e marrë në përdorim, lëshuar nga strukturat përkatëse, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar;

– Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale. 2. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim” dhe ia jep fermerit; 3. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare.

Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese; 4. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” fermeri paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”; 5. Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale; 6. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; 7. Me kërkesën e të vetëpunësuarit në bujqësi ai pajiset nga organet e sigurimeve shoqërore edhe me vërtetimin tip “Për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here