Shija e keqe e ndeshjes së kombëtares me Islandën mbrëmjen e djeshme i la radhën një fitorje historike po në futboll, por kësaj here nga vajzat.
Vllaznia siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League.
Teksa u ka uruar fitoren e merituar vajzave të Vllaznisë, president i FShF Armand Duka thotë se futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.
Postimi i Dukes:
Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.
Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.
Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.
Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.
E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.
Urime Vllaznia. Urime vajza!