Masat shtërnguese për kompanitë call center, të miratuara tashmë nga senati Italian nuk rrezikojnë mbylljen e këtij aktiviteti në vendin tonë. Garancinë e radhës e dha vetë ambasadori Italian Alberto Cutillo, i pyetur rreth këtyre ndryshimeve që parashikohen të impaktojnë drejtëpërdrejtë në ndërmarrjet që operojnë në vendin tonë.
Alberto Cutillo, ambasador i Italisë
Jo se besoj. Normativa nuk ndalon vazhdimin e aktiviteteve, por do te jene ne fuqi rregulla te reja qe do te respektohen nga operatoret serioz qe egzistojne ne treg dhe nuk shoh vende pune ne rrezik ne Shqiperi. Thjesht call center-at duhen te respektojne rregullat e komunikimit. Nuk jane ne rrezik 25 mije vende pune.
Nëse pas call center të njëjtin fat do të ketë edhe sektori i fasonerisë, siç po përflitet ditët e fundit në media të caktuara, ambasadori Cutillo thotë se nuk ka dijeni për një nisëm të tillë.
Alberto Cutillo, ambasador i Italisë
Nuk jam ne dijeni te ndonje propozimi qe i perket sektoreve te tjere. Per call center ka qene kjo norme, por perseris qe nuk duhet te godase organizimet e rregullta qe operojne duke respektuar ligjin.
Sipas amendamenteve të reja, nëse një operator ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së, duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin te organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e punonjësve, edhe te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përveç Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit. Ligji parashikon ashpërsimin e sanksioneve për mos njoftime apo vonesa. Gjithmonë me qëllim frenimin e delokalizimit, reforma vendos përjashtimin nga lehtësitë fiskale të këtyre tipologjive. Amendimet parashikojnë edhe forcimin e të drejtës së subjektit që merr një telefonatë nga një “call center”, për t’u informuar vendin nga bëhet thirrja.