Shkon ne 9 numri i te arrestuarve, te henen gjyqi tek krimet e renda.
Në vijim të operacionit “Ilegall Bill”, pas 7 arrestimeve të një dite më parë, të dielen policia e Shkodres vuri në pranga edhe dy persona të tjerë si pjesë e grupit kriminal që u vendoste gjoba bizneseve. Në pranga kanë përfunduar Ibrahim Lici, 24 vjeç, i afërt me kreun e grupit, Muhamet Lici, si dhe 16 vjeçari me iniciale H.L, banues në lagjen “Guerile” të Shkodrës. Këta shtetas arrestohen për veprën penale “Shtrëngim me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, “Krijim të grupit te strukturuar kriminal” dhe ”Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Shkatërrimi i grupit kriminale që “taksonte” në çdo fund muaji tregtarët u realizua pas 6 muajsh hetime. Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë dhe ky grup kishte vepruar nga tetori 2016 thote prokuroria. Keta shtetas mblidhnin me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit, etj. Në kuadër të këtij hetimi rezultoi se drejtuesit e këtij grupi kriminal angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që, në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar në tregjet e sipërpërmendura shumat nga 1000 lekë deri në 3000 lekë. Materialet për të arrestuarit, numri i të cilëve ka shkuar në 9, i jane referuar Prokurorisë pranë Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprime te mëtejshme. Lici së bashku me grupin e tij ka mohuar akuzat para policisë. Por për Prokurorinë krimet e tyre janë të provuara me një sërë provash, nga blloku i shënimeve me emrat e tregtarëve dhe pagesat e tyre dhe deri tek pamjet filmike dhe përgjimet e telefonatave me pjesëtarët e grupit ku kërcënoheshin tregtarët. Ata do të njihen me masën e sigurisë të hënën.