Vijojnë replikat mes ministres së riemëruar të Arsimit Lindita Nikolla dhe kreut të PD-së Basha sa i përket çmimit dhe shpërndarjes së librave shkollorë. Vetëm pak orë pasi Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat akuzoi ministren dhe kryeministrin për sistem klientelist së shpërndarjes së librave, Nikolla në një reagim në rrjetin social facebook konsideron se deklarata e PD-së flet për injorancë. Ajo i kujton Bashës se në krye të ministrisë ka qënë e zgjedhura e tij duke i kërkuar edhe njëherë një takim. Statusi i Nikollës E keqardhur, që pas reagimit tim, me respekt e predispozitë të plotë, ndaj shqetësimit të tij, lidhur me tekstet shkollore, zoti Basha më kundërvihet me deklaratën e partisë së tij. Zoti Basha, deklarata juaj flet për injorancë. Pyetja që unë shtroj është se, ku është dija juaj, kur thoni se edhe çmimin e teksteve e paskam vendosur une? Kjo është për të qeshur! Kjo është mjerane! Sa për këshillën që me jep partia juaj, që une të lë kolltukun e zyrës dhe të takoj prindërit, kjo pastaj është vërtet sa për të qarë e aq për të qeshur. Sepse, ju zoti Basha, nuk e dini as faktin që unë nuk jam aktualisht ministre e arsimit, ministre është ende e zgjedhura juaj. Pa dashur t’ju rëndoj duke jua kujtuar këtë, dua vetëm t’ju lutem t’i lini sulmet, akuzat e fyerjet e llojit të vjetër. Unë jam gatshme, sapo të marr detyrën, t’ju takoj dhe të bashkëpunoj me ju, për të folur për arsimin dhe jo për njeri-tjetrin, shkruan Nikolla. |