Friday, April 19, 2024
HomeIntervistaMjeku shqiptar i cili nuk u pranua nga Rama,tani i punesuar ne...

Mjeku shqiptar i cili nuk u pranua nga Rama,tani i punesuar ne gjigandin farmaceutik danez Novo Nordisk

-

I ri, ambicioz, i shkolluar në universitetet më të mira të botës, Taulant Muka sot po jeton ëndrrën e të gjithë mjekëve të rinj shqiptarë.

Aktualisht i punësuar pranë gjigandit farmaceutik danez, Novo Nordisk, ku merret me kërkimin shkencor dhe zhvillimin e kurave të reja për diabetin, ka prekur edhe auditoret e Harvard e Kembrixh, ndërsa ka lënë pas një eksperiencë si akademik në universitetin prestigjoz të Erasmus në Hollandë.

Pavarësisht këtyre mundësive që i ka gjetur jashtë Shqipërisë, e mban gjithmonë një sy nga vendi i lindjes. Në qershor të 2017-ës iu përgjigj thirrjes së kryeministrit Rama për të ardhur dhe kontribuar në Shqipëri. Por ndryshe nga entuziazmi i Taulantit, nga Tirana i erdhi vetëm heshtje.

“As edhe një: Faleminderit që aplikuat”, kujton Taulanti. Në një intervistë të gjatë për Citizens Channel, Taulanti na shpjegon se “në universitetet shqiptare përfshirë atë të Mjekësisë studentët në shumë raste keqinformohen, duke u servirur informacione të vjetëruara; e ashtuquajtura elita e mjekësisë, pjesa më e madhe e profesorëve, janë injorantë në kërkimin shkencor dhe se kanë shumë pak studime shkencore të botura në revista të huaja prestigjoze”.

Taulant, ka kohë që nuk kemi dëgjuar për ty, me çfarë po merresh aktualisht?

Akttualisht, që prej shtatorit të këtij viti, po merrem me studime klinike në fushën e diabetit. Jam bërë pjesë e stafit të kompanisë Novo Nordisk, në Kopenhagen, në Danimarkë, dhe konkretisht në sektorin që merret me zhvillimin e medikamneteve apo kurave të reja të trajtimit të diabetit. Por ky nuk është i vetmi angazhim. Gjithashtu jam i afiluar edhe me Erasmus Medical Center, qendrën spitalore Erasmus ku përveçse merrem me kërkim shkencor në fushën e diabetit jam edhe lektor.

Ndonëse je vetëm 30 vjeç, ke në CV-në tënde shumë përvoja me vlerë. Si ka qenë ky udhëtim i yti drejt dijes? A vë re diferenca mes mënyrës se si jepet dhe merret dija në Shqipëri me ato jashtë?

Kur kam qenë student kam luftuar shumë për të përmirësuar gjendjen e edukimit shëndetësor në Shqipëri. Kur lëviza jashtë për të studiuar kuptova se sa mbrapa ishte sistemi ynë i edukimit. Ndërkohë që jashtë ti ke mundësi për kërkim shkencor, për të rritur mendimin kritik që është baza në fakt, këtu tek ne ka shumë mungesa dhe këto gjëra as nuk konceptohen. Edhe sot situata nuk është se ka ndryshuar shumë. Mjafton të shikosh edhe sot drejtuesit kryesorë të fakulteteve, jo vetëm të mjekësisë. Iu mungon eksperienca në kërkimin shkencor dhe universitetet ngrihen mbi kërkimin shkencor. Nëse kjo mungesë është tek ata që drejtojnë universitetet, normalisht nuk mund të presësh më shumë tek ata që janë poshtë tyre.

Ne mezi i presim konferencat shkencore ku mund të publikohen disa raporte apo studime me të dhëna. Në opinionin tënd, a janë të besueshme? A janë të dhëna të freskëta, a i bëhet një analizë serioze problemit?

Unë i vë në dyshim, sepse këtu nuk ka një sistem elektronik të mbledhjes të të dhënave. Në dijeninë time nuk ka një komision etik, apo një komision që merret me certifikimin e studimeve. Unë personalisht kam marrë pjesë në disa konferenca dhe më vjen keq ta them po aty jepen të dhëna të 10 viteve më parë. Një vlerësim shumë i thjeshtë, për këtë situatë, është të shikosh se ku publikohen këto të dhëna. Nëse klikon ta zëmë në PubMed, që është një database për të gjitha publikimet shkencore, do të gjesh shumë pak publikime apo punë shkencore edhe nga ata që ne i quajmë profesorët, elita e kësaj fushe. Kudo ku shkon jashtë gjithmonë të vënë në dukje se nga Shqipëria ka shumë mungesë të dhënash. Krahasuar edhe me shumë vende në rajon, Greqia, Serbia madje edhe Kosova, kanë të dhëna shumë më të kompletuara, ndërsa nga Shqipëria ka shumë pak ose fare informacion.

Përse ndodh kjo? Është çështje neglizhence? Nuk dimë? Mungesë fondesh, mungesë vizioni?

Janë të gjitha së bashku, por gjithmonë mund ta nisësh me pak, pasi gjithçka mund të ndërtohet. Një opsion shumë i thjeshtë është t’u kërkosh ndihmë ish studentëve shqiptarë. Për mua nuk do të ishte asnjë problem të vija të jepja atë leksion që unë e jap në Erasmus, do ta jepja madje me kënaqësi dhe falas për studentët shqiptarë. Por nuk kam marrë asnjëherë asnjë ftesë nga asnjë dekan apo profesor shqiptar.

Ti vetë je ofruar për ta bërë këtë gjë?

Para se të vija në Shqipëri këtë herë, i shkruajta dekanit të Mjekësisë, nëse mund të jepja një ditë leksion për studentët e Mjekësisë, por nuk mora asnjë përgjigje.

Por nëse do të kishe një ftesë do të vije?

Sigurisht që po! Madje unë mendoj që shteti ka duhet t’i detyrojë ata studentë apo profesionistë që ka investuar tek ta me bursa, që të kthehen në Shqipëri të paktën për një farë periudhë. Në fund të fundit të gjithë ne që kemi përfituar bursë nga shteti e kemi të shkruar në kontratë që pas përfundimit të studimeve duhet të kthehemi dhe t’i shërbejmë vendit të paktën për një periiudhë 2-vjeçare, por në Shqipëri askush nuk do t’ia dijë dhe besoj se askush nuk e di se ku janë profesionistët që ata mbështesin.

Do të kthehesh? Apo nuk është opsion për ty Shqipëria?

Të gjithë ne që jetojmë jashtë Shqipërinë e kemi për zemër dhe kemi shumë dëshirë të investojmë këtu. Edhe unë e kam gjithmonë një sy nga Shqipëria. Jo më larg se kjo verë doja të lëvizja pak nga akademia, dhe doja të shikoja mundësinë për të lëvizur në Shqipëri. Pikërisht në këtë kohë kryeministri Rama krijoi një platformë për të gjithë shqiptarët profesionistë në vendet e huaja, ku u bënte thirrje që të ktheheshin dhe të investonin në vendin e tyre. I shkruajta se do të ishte kënaqësi për mua që të kontribuoja. Por nuk mora asnjehëre asnjë përgjigje, madje as një “faleminderit për aplikimin tuaj”. Kjo është një shenjë se sa e vërtetë është politika në atë që thotë se bën, megjithatë unë sërish nuk kam hequr dorë nga kjo ëndërr. Ka plot mënyra të tjera se si mund të investosh në Shqipëri dhe unë do i bëj përpjekjet e mia që brezat e rinj, atë eksperiencë që ne kemi marrë, sadopak të kenë mundësi ta marrin edhe ata.

Ka një përshtypje që mjekëve të ardhshëm këtu në Shqipëri, nuk ua mësojnë në të vërtetë profesionin. Sa e vërtetë është kjo?

Këto probleme kanë ekzistuar dhe ne i kemi luftuar. Dhe imagjino që ne ishim edhe të limituar nga eksperiencat e jashtme në atë kohë, por brenda botëkuptimit tonë…ne kemi bërë maksimumin. Me aq sa jam në dijeni nuk është se gjërat kanë ndryshuar. Është fatkeqësi teksa dëgjon shumicën e studentëve shqiptarë kur thonë po zgjedhim mjekësinë sepse mund të shkojmë në Gjermani. Kjo është për të ardhur keq, sepse prindërit shqiptarë, nga ajo që kam parë unë gjatë kësaj eksperience akademike jashtë, janë prindërit që investojnë më shumë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Unë me keqardhje konstatoj, se edhe pas kaq vitesh, nuk ka ndonjë përmirësim në nivelin e edukimit, sepse kjo duket edhe nga rankimi i universitetit të Mjekësisë në botë, ku ai renditet ndër më të fundit në rajon.

A po ecën mjekësia shqiptare me të njëjtin hap si fqinjët e tjerë të rajonit së paku?

Unë mendoj që ne kemi shumë mangësi. Edukimi në vazhdim është shumë i rëndësishëm. Dhe një element shumë i rëndësishëm janë konferencat shkencore, ku duhet të flitet për të rejat më të fundit në fushën e mjekësisë. Por çfarë ndodh në Shqipëri? Të garantoj që vetëm njohuritë të reja nuk prezantohen. Ata leksione që jepen në fakultetin e mjekësisë, prezantohen edhe në konferenca. Prezantohen disa materiale si studime por nuk janë fare studime. Aty flitet për diagnozën e diabetit që ke në leksione që para 10 vitesh, ndërkohë që në diagnozën e diabetit protokolli ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe infromacion të ri nuk ka. Ti si i ri shkon shumë i etur për të marrë njohuri të reja dhe si serviren dije të prapambetura dhe më e keqja është se ky i ri nuk është në dijeni që këto dije janë të prapambetura. Dhe ky është krimi më i madh që po u bëhet të studentëve të mjekësisë: po i keqedukojnë dhe keqedukimi është një dëm më i madh se sa të mos dish. Dhe kurthi vazhdon sepse këto konferenca pastaj akreditohen nga qendra e edukimit në vazhdim.

Cila është zgjidhja? Kryeministri propozoi mbylljen e qendërs së edukimit në vazhdim?

Në asnjë mënyrë, kjo do të ishte fatkeqësi. Qendra e edukimit në vazhdim do riorganizm dhe në krye të saj të vendosen njerëz që e dinë se çfarë do të thotë edukim në vazhdim. Për mua fatkeqësi për mua ishte edhe ndarja e fakultetit të mjekësisë nga Universiteti i Tiranës dhe dalja e tij si universitet më vete.

Kjo në fakt është konsideruar si arritje nga Mjekësia?

Më thoni një vend tjetër në rajon që ka Universitet Mjekësor? Dhe çfarë ndodhi? Universiteti i Tiranës, nga vendi i 800-të që ishte në renditjen botërore u klasifikua në vendin e 9 mijë apo 10 mijë..dmth universitetit të Tiranës i ra vlera në arenën ndërkombëtare, ndërsa universiteti i Mjekësisë është në vendin e 22 mijë… çfarë përfitoi studenti shqiptar nga kjo? Humbje drastike! Dhe a solli zhvillim ndarja e universiteteve? Unë mendoj që jo! Për mua e gjitha kjo është për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit.

Eksperiencat nuk mungojnë, si ndryshohet?

Këtu ka mungesë dëshire. Jemi shumë mbrapa. Është fatkeqësi që ende tek ne reklamojnë si zhvillim instalimin e aparaturave të reja. Por ka shumë persona që po investojnë shumë në fushën e tyre dhe janë shumë më mirë se sa vendet e tjera të rajonit, siç është rasti i Edvin Priftit dhe ai po mund të quhet një rast suksesi. Të gjithë studentët që vijnë në mjekësi e kanë me pasion, por ky pasion iu zbehet që në fillimet e para për shkak të vështirësive të shumta dhe demoralizohen. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi, ka mundësi pafund mjafton që të mos dorëzohesh dhe të dish t’i kërkosh. Sot të rinjtë mund të lëvizin për të studiuar shumë lehtë edhe jashtë, ka plot mundësi për bursa dhe kurse të ndryshme për të marrë një eksperiencë të mirë. Sigurisht nëse nuk i gjen këtu këto mundësi dhe unë jam një nga ata shembuj që ëndërren time e realizova jashtë Shqipërisë.

Taulant-Muka-ok.jpg

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts