Sunday, May 19, 2024
HomePolitikëLuchner mesazh nga Tirana: Siguria kibernetike, prioritet kyç në Ballkanin

Luchner mesazh nga Tirana: Siguria kibernetike, prioritet kyç në Ballkanin

-

 

Johannes Luchner, zv.drejtor i përgjithshëm i DG HOME, Komisioni Europian, deklaroi sot në nisje të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm që po mbahet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, se “siguria kibernetike është bërë tashmë një nga prioritetet tona kyçe në Ballkanin Perëndimor”.

Duke folur për menaxhimin e integruar të kufirit me Ballkanin Perëndimor, Luchner tha se, “vjet ne kemi diskutuar në mënyrë intensive trysnitë e shtuara migratore në rajon dhe përpjekjet tona të përbashkëta kanë sjellë rezultate. Zbatimi i planit të veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka sjellë uljen e trysnive migratore në këtë korridor”.

Në përgjithësi, theksoi ai, “trysnia migratore në korridorin e Ballkanit Perëndimor në fakt është ulur me 25 % në 7 muajt e parë të vitit 2023, me rreth 50 mijë kalime të parregullta të kufirit në këtë korridor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”.

Luchner nënvizoi se, puna e përbashkët ka sjellë rezultate pozitive.

Kryesisht, shtoi ai, “edhe me anën e përafrimit të politikës suaj të vizave me atë të BE, me anën e miratimit të marrëveshjeve të reja me FRONTEX, si edhe me ardhjen e oficerëve shtesë të FRONTEX-it në rajon”.

“Komisioni pret që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor të vijojnë përpjekjet e tyre përsa i përket përafrimit të politikës së vizave gjatë gjithë vitit 2023”, tha Luchner.

Ai theksoi se, Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson pret që të nënshkruhen në mënyrë të shpejtë edhe marrëveshjet e reja të me FRONTEX-in, si dhe zbatimi i shpejtë i marrëveshjes status me Shqipërinë, e cila do të nënshkruhet nesër.

Luchner foli edhe për luftën kundër kontrabandës, teksa theksoi se, “Komisionerja Johansson është shprehur se partneriteti rajonal operacional kundër kontrabandës, të cilën Komisionerja e lançoi vjet në Tiranë, në nëntor, u pasua me një takim teknik sërish në Tiranë, me përfaqësues të shteteve anëtare, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe agjencive të BE-së dhe puna vijon me këtë partneritet”.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, Luchner përgëzoi ministrin Balla për punën e kryer në këtë drejtim.

“Së shpejti”, vijoi ai, “do të miratojmë paketën e zgjerimit të vitit 2023, e cila natyrisht do të marrë parasysh edhe paketën e zgjerimit të vitit 2022, duke bërë gjithashtu edhe një vlerësim të hollësishëm të situatës dhe të ecurisë që është bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugëtimit të tyre drejt BE-së, duke u përqendruar tek reformat themelore dhe punën për prioritetet për reformat.”

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit vazhdojnë të mbeten prioritete të rëndësishme dhe në qendër të programit politik të BE-së. Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë aleatë të rëndësishëm sa i përket kësaj çështjeje dhe kërkojmë që të vazhdojmë të bashkëpunojmë në lidhje me këto kërcënime. Ne kemi treguar angazhimin tonë në këtë fushë dhe me veprimet tona për fuqizimin e kapaciteteve”, tha ai.

“Kemi pasur operacione fantastike të përbashkëta që kanë ndodhur pikërisht këto vitet e fundit ndërmjet policive të shteteve anëtare dhe policive të partnerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfshirjen e Europolit. Kemi pasur goditjen e disa grupeve të organizuara kriminale me anën e kësaj pune të përbashkët, në veçanti të atyre që janë të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. në fakt, pikërisht lufta kundër trafikimit të lëndëve narkotike duhet të vijojë të jetë një fushë prioritare për ne”, tha ai.

“Gjithashtu”, vijoi Luchner, “ne ju përgëzojmë dhe kemi mirëpritur bashkëpunimin e mirë me Europolin. Kemi tashmë oficerë kontakti më shumë se ç’kemi pasur nga rajoni, të cilët janë në zyrën qendrore të Europolit që prej fillimit të vitit 2023 që është një gjë me të vërtetë shumë e vlefshme.”

Ai shtoi se, “sa i përket shkëmbimit të informacionit ne së bashku duhet të bëjmë më shumë”.

Duke folur për sigurinë kibernetike, Luchner tha se, “e shikojmë të gjithë se një kërcënim për të gjithë ne janë sulmet kibernetike ndërkombëtare madhore. Ndërkohë që ne e shikojmë që Rusia është e angazhuar në aktivitete keqdashëse kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe që ne jemi viktimë e tyre. Prandaj na duhet të përmirësojmë monitorimin e këtyre veprimeve që të shikojmë çfarë mund të bëjmë më mirë kundër këtyre sulmeve kibernetike”.

“Siguria kibernetike është bërë tashmë një nga prioritetet tona kyçe në Ballkanin Perëndimor dhe në fakt ne e pamë edhe në deklaratën politike të planit të ri të rritjes për Ballkanit Perëndimor që mbajti edhe presidentja Von der Leyen në maj të vitit 2023. Menjëherë pas sulmeve kibernetike, në rajon, në verën e vitit 2022, BE përshpejtoi mbështetjen e vet, e fuqizoi atë, me anën e asistencës teknike edhe me një projekt të reagimit të shpejtë, duke u përqendruar në fuqizimin e kapaciteteve”, tha Luchner.

Ne, theksoi ai, “na duhet bashkëpunimi i fortë i të gjithë partnerëve në rajon”.

“Programi rajonal i sigurisë kibernetike, i financuar me fondet IPA, i cili filloi në mars të vitit 2023 do të vijojë me trajtimin e nevojave individuale të secilit prej partnerëve në Ballkanin Perëndimor, me një theks të veçantë tek bashkëpunimi rajonal dhe aktivitetet e përbashkëta. Propozimi që është sjellë nga ministri Balla për të zhvilluar dhe krijuar dhe më tej mekanizma rajonalë të paralajmërimit të hershëm merret pikërisht me këtë nevojë të qartë për fuqizimin të menaxhimit të riskut, ndaj mekanizmave të reagimit ndaj incidenteve në Ballkanin Perëndimor. Dhe në fakt rikrijimi i një rrjeti të tillë për këto incidente është shumë i rëndësishëm dhe KE do të vazhdojë të luajë rolin e vet në këtë fushë”, u shpreh Luchner.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts