Sunday, April 28, 2024
HomeAktualitetPolicia bën bilancin e muajit tetor: U finalizuan 104 operacione, 587 persona...

Policia bën bilancin e muajit tetor: U finalizuan 104 operacione, 587 persona u arrestuan

-

Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të punës për muajin tetor për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim, për të garantuar sundimin e ligjit, që sjell rend dhe siguri për qytetarët.

Me anë të një njoftimi, policia thotë se gjatë këtij muaji janë hartuar dhe zbatuar plane të posaçme masash për mbarëvajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit dhe të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, që u zhvilluan në Tiranë.

“Angazhimi i mijëra punonjësve të Policisë, bashkëpunimi me institucione të tjera dhe zbatimi i masave kufizuese dhe rregullave, nga qytetarët, siguruan mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, që ngritën lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu janë finalizuar 104 operacione në të gjithë vendin ku janë goditur veprimtari kriminale në fusha të ndryshme. 4 prej operacioneve u zhvilluan si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.

“587 shtetas u vunë në pranga, 56 nga të cilët në kërkim kombëtar dhe 11 në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i operacioneve dhe i punës së përditshme të Policisë, janë sekuestruar 557 kilogramë kanabis, doza kokanine dhe kanabisi, pajisje elektrike për kultivim të bimëve narkotike, 27 armë zjarri, 9 armë gjahu, municion luftarak, armë sportive, armë të ftohta, sende të tjera të kundërligjshme, dhjetëra automjete dhe celularë, mallra të kontrabanduara me vlerë gati 150 000 euro, rreth 15 000 euro të përfituara nga veprimtaritë kriminale dhe rreth 230 000 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar”, thotë policia.

Gjithashtu, është vendosur sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në Ksamil, dhe mbi pasuri të ndryshme në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, me vlerë totale mbi 3 milionë euro.

Operacioni policor i koduar “Tentativa”, i zhvilluar në Durrës, parandaloi kryerjen e një vrasjeje nga një shtetas me precedent të theksuar kriminal. Polica sekuestroi një armë zjarri me silenciator dhe municion luftarak, vuri në pranga shtetasin që i posedonte dhe një shtetas tjetër që e shoqëronte atë, në automjet.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, janë parandaluar 3 ngjarje kriminale në fushën e krimeve kundër personit dhe përshkallëzimi i 3 konflikteve të çastit.

Në fushën e narkotikëve, janë zhvilluar në total 44 operacione. Si rezultat i tyre dhe i rasteve të goditura në këtë fushë janë sekuestruar në total: 557 kilogramë kanabis, më shumë se gjysmë kilogramë kokainë, mijëra doza të këtyre lëndëve, fara kanabisi dhe dhjetëra pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura.

Operacioni policor i koduar “Amid”, i zhvilluar nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me DVP Fier, zbuloi një magazinë të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike. Policia asgjësoi 4930 bimë kanabisi të kultivuara në një parcelë me misër, sekuestroi 198 kg kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri dhe municion luftarak. 3 shtetas u vunë në pranga, 4 të tjerë u vunë në hetim.

5 operacione në këtë fushë zbuluan 5 ambiente të tjera të përshtatura për tharjen e bimëve narkotikëve, në Krujë, Shkodër, Berat dhe Fier. Në këto ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 82 kanabis në proces tharjeje dhe 1 armë zjarri automatik.

Operacioni policor i koduar “Prioriteti”, në Lezhë, çoi në pranga 4 shtetas dhe në ndjekje penale 2 të tjerë, pasi në banesat e tyre, Policia gjeti 158 kg kanabis, një pjesë e gatshme për shitje dhe një pjesë në proces tharjeje. Gjatë operacionit u asgjësuan 280 bimë narkotike që ishin kultivuar në një fshat, si dhe u sekuestruan 14 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve.Në Shkodër dhe në Krujë, Policia evidentoi dhe goditi 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave dhe pajisjeve të tjera elektrike. Operacionet e koduara “Trushi” dhe “Marikaj 2”, asgjësuan 1158 bimë dhe 907 fidanë kanabis që ishin kultivuar në këto ambiente, sekuestruan pajisjet elektrike që shërbenin për rritjen e tyre dhe 1 armë zjarri.

Në Kapshticë, u godit një rast i tentativës për të trafikuar lëndë narkotike drejt Greqisë. Policia sekuestroi 9.3 kg kanabis dhe vuri në pranga poseduesin e saj.

Këtë muaj, megaoperacioni policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli” goditi 26 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentohen nga nxënësit dhe të rinjtë, në të gjithë territorin e vendit. Policia vuri në pranga 34 autorët e këtyre rasteve dhe sekuestroi sasitë e kanabisit dhe kokainës që ata kishin ndarë në doza, për t’i shitur.

Gjithashtu, në pranga u vunë 9 shtetas që ishin shpallur në kërkim më parë, në kuadër të këtij operacioni.

Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të Paketës për Sigurinë në shkolla, shërbimet e Policisë kanë monitoruar vazhdimisht perimetrin e sigurisë dhe kanë ushtruar kontrolle në subjektet që frekuentohen nga nxënësit. Si rezultat i kontrolleve u goditën 4 raste të shitjes së produkteve të rrezikshme për shëndetin.

27 armë zjarri, 9 armë gjahu, municion luftarak, armë sportive, dhjetëra armë të ftohta të llojeve të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, u sekuestruan si rezultat i 8 operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve.

Operacioni policor i koduar “Baza” çoi në pranga një shtetas që kishte përshtatur banesën e tij, në Durrës, për të riparuar dhe tregtuar armë zjarri, fishekë dhe sende të tjera, që do të përdoreshin nga grupet kriminale. Në këtë banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri me silenciator, skelete armësh, municion luftarak dhe sende të kundërligjshme.

Policia Kufitare e Kapshticës goditi një rast të tentativës për të trafikuar 4 armë zjarri dhe municion luftarak, drejt Greqisë. Policia arrestoi drejtuesin e automjetit ku u gjetën armët dhe bashkëpunëtorin e tij.

1 rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri në Shqipëri, u godit nga Policia Kufitare e Morinës. Në pranga u vu drejtuesi i automjetit ku u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, armë të ftohta dhe sende të kundërligjshme.

12 operacione goditën veprimtaritë kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare. Si rezultat i tyre u sekuestruan medikamente mjekësore me vlerë 50 000 euro dhe mallra/ produkte të ndryshme me vlerë rreth 100 000 euro, që tregtoheshin në mënyrë të kundërligjshme.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts