Shifrat gjithnjë e në rritje të grave të prekura nga kanceri i gjirit në stad të avancuar kanë detyruar komisionin e Shëndetësisë të thërrasë në dëgjesë publike ministren Ogerta Manastirliu.
Kreu i Shëndetësisë ka listuar disa nga investimet e kryera duke argumentuar ndryshimet pozitive që sipas saj kanë prekur edhe shërbimin onkologjik.
Por kur më pak pritej ministrja është dashur të përballet me një oponencë të fortë të ardhur jo nga opozita por nga radhët e shumicës.
Të dhënat zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2017 flasin për 550 raste të reja të diagnostikuar me kancer të gjirit, por mendohet se shifra reale është shumë më e lartë pasi ende gratë dhe vajzat neglizhojnë vizitat periodike si ekon e gjirit dhe mamografinë.
Ogerta Manastirliu: Shërbimi onkologjik mbulon 100% linjën e parë dhe linjën e dytë të trajtimit të sëmundjeve tumorale, sa i përket kancerit të gjirit.
Tritan Shehu: Mua më duket se jemi akoma shumë-shumë poshtë nga nevoja. Ç’bëhet me ata që nuk mbulohen dot. Jemi akoma në shifrat e 2013-ës në buxhet. Nuk ka shëndetësi falas kur nuk marr shërbim shëndetësor.
Ogerta Manastirliu: Pesë barna të reja vetëm për kancerin e gjirit, për sa i përket skemës së rimbursimit.
Halim Kosova: Lista e rimbursimit të barnave është hajdutllëku më i mastër në sistemin shëndetësor.
Elisa Spiropali: Ajo që sheh tek onkologjiku janë mjekë dhe infermierë shumë të dedikuar por një radhë të gjatë njerëzish, sidomos grash që presin aty dhe në kushte jo të mira fatkeqësisht. Kam hasur aty raste kur pacientët janë diagnostikuar në moment dhe më pas iu është dashur që nga aty mjeku i referon tek mjeku specialist dhe pastaj duhet të marrë një vërtetim dhe pastaj të vijë prapë etj. A ka një plan se si mund të thjeshtohen këto procedura që një pacient që diagnostikohet aty dhe bën skanerin të mund menjëherë të marrë mbështetjen pa u sorollatur në burokraci. Sepse shpesh burokracia është aq vrastare sa edhe sëmundja sepse rëndon psikologjikisht pacientin.
Ogerta Manastirliu: Kemi zgjeruar shërbimin e onkologjisë përmes 5 kabineteve të kimioterapisë në 5 spitale rajonale. Janë në specializim 21 mjekë onkolog në mënyrë që të zgjerojmë dhe hapim qendrat e reja.