Deklaratat e Edi Ramës kundrejt Greqisë kanë qenë folklorike, jashtë kontekstit dhe që kanë pasur si synim nga ana e tij, që të marr një lloj monopoli nacionalist që nuk e ka pasur. Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, duke komentuar takimin dypalësh mes ministrit Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias.
Mustafaj e vlerëson pozitiv takimin që do të mbahet në Kretë duke u shprehur se ky është një zhvillim pozitiv nisur nga situata e krijuar pas protestave në Himarë.
“E shoh pozitivisht, është një iniciativë e mirë nga të dyja palët. Ka një rënie të bashkëpunimit të politik së fundmi, nisur nga situata e krijuara. Ka patur deklarata tërësisht folklorike të kryeministrit Rama, jashtë kontekstit, dhe që kanë patur si synim nga ana e Ramës që të marrë një lloj monopoli nacionalist që nuk e ka patur. Nga ana tjetër është çështja e marrëveshjes së detit, dhe rasti i Himarës, që kanë ngjallur reagime nga pala greke. Pra ka patur reagime të të dyja palëve që kanë sjellë në këtë gjendje. Kabineti i Cipras deklaroi se dhënia e konsensusit të Greqisë për Shqipërinë do të jetë e kondicionuar. Por një situatë e tillë nuk është as në dobi të Shqipërisë dhe as të Greqisë”, tha Mustafaj në Neës24.
Në vijim ai shtoi se një situatë e tillë nuk duhet të ekzistojë mes dy vendeve fqinje.
“Greqia kështu kthehet në penguese të integrimit të rajonit në BE. Kujtojmë edhe kondicionimin ndaj Maqedonisë.
Raste të tilla kur përdoret një fundjavë për një takim në një vend periferik, siç është Kreta, tregon dëshirën për të kaluar pak më shumë kohë me njëri-tjetrin, pa u kushtëzuar nga situata, dhe jashtë ndikimeve të mëdha. Ne nuk dimë axhendën reale, por kjo tregon se do të kenë më shumë mundësi për takime informale. Kjo kohë që ata do qëndrojnë në këtë takim dyditor, presupozon një kohë më të gjatë për t’u marrë vesh, pasi kanë padyshim shumë tema për të diskutuar”, u shpreh Mustafaj.