Reportazh/ Tajvani, “tigri i vetmuar” i Azisë, në sytë e një shqiptari

0
912

“Ne duam dialog, por ata kanë vendosur parakusht që ne të njohim që ka vetëm 1 Kinë. Megjithatë, ata mbeten partneri ynë kryesor ekonomik”. Në këto 2 fjali mund të përmblidhet situata diplomatike mes Kinës dhe Tajvanit, shtetit “të vogël” në Azinë Lindore.

Këto fjali i shqipton zonja Hsiao Yueh Chang, ministre e Këshillit të Çështjeve Kontinentale në një takim me gazetarë nga e gjithë bota.

Aktualisht, Tajvani, ky ishull me 23 milionë banorë ka një status atipik.

Në foto: Hsiao Yueh Chang, ministre e Këshillit të Çështjeve Kontinentale të Tajvanit.

Kina e ka “rrethuar” atë dhe kërcënon që ta pushtojë nëse shpall pavarësinë, por nga ana tjetër Tajvani është realisht i pavarur: ka të gjitha institucionet e çdo vendi tjetër të lirë në botë. Tajvani është vend demokratik dhe pavarësisht se ka marrëdhënie diplomatike me vetëm 19 shtete anëtare të OKB, qenia “pro-perëndimor” i ka siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Kina i ka vendosur një kusht: Tajvani të njihet si “Republika e Kinës” dhe me këtë emër të përfaqësohet në forumet ndërkombëtare. (Kina vetë, njihet me emrin “Republika Popullore e Kinës”)

Pekini do bashkim, Taipei do pavarësinë: rruga e mesme është gjetur ruajtja e statukuosë, pra as bashkim Kinë-Tajvan, por as anëtarësim i Tajvanit në OKB. Për hir të së vërtetës: ata kanë qenë pjesë e OKB-së deri me 1971, por lojërat e mëdha politike ia hoqën anëtarësimin.

Një taksist vendas më tha se, Tajvani ka sistemin më të fortë mbrojtës antiraketor në botë, pas Izraelit.

Në foto; “Taipei 101” me 400 metrat e saj ishte ndërtesa më e lartë në botë deri në vitin 2010.

 

* * *

Pavarësisht sfondit të paqartë politik, jeta ecën për mrekulli në këtë ishull të Paqësorit. Ky vend është në “Top 25” të ekonomisë botërore: siç mund të imagjinohet, industria është pikë shumë e fortë.

Rrugët e Taipeit, Taichung, Khaosiung janë tejet të pastra, askush nuk flet me zë të lartë, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe ushqimi, i mrekullueshëm.

I vetmi “problem” është ndotja e mjedisit dhe rreth 1 në 10 njerëz ecte me maskë në rrugë.

“Taipei 101”, me 101 katet e saj ishte kulla më e lartë në botë deri në vitin 2010, kur përfundoi ndërtimi i Burj Khalifas në Dubai.

Sistemi i transportit funksiononte për mrekulli me trena që kapnin 300 km në orë, sistem metrosh e autostradash, por edhe 4 aeroporte kombëtare.

Bashkë me Hong Kongun, Korenë e Jugut dhe Singaporin, Tajvani njihet si një nga “4 tigrat e Azisë”. Unë po pyesja veten si ka mundësi që një ishull (që presupozohet të ketë burime të kufizuara natyrore) mund të arrijë këtë standard jetese. Përgjigjen e mora gjatë vizitës në bibliotekën e qytetit.

2 nga 10 katet e superndërtesës ishin vetëm për fëmijët. U ftuam të mbanim qetësi, sepse dhjetëra fëmijë në moshës 5-10-vjeçare po lexonin në heshtje, kur mbaronin i vinin librat në raftet përkatëse. Askush nuk luante, nuk bërtiste, nuk i fliste tjetrit, nuk qante, nuk qeshte.

U përpoqa të imagjinoj një bibliotekë të miturish në Shqipëri dhe i keqardhur mendova që ajo mund t’i ngjante më shumë një arene ‘paintball’-i.

Biblioteka kishte milionë vizitorë çdo vit, pra një pjesë të mirë të popullsisë së Tajvanit. Kishte autosterilizues për librat, ku ti e fusje librin në një si tip kasaforte dhe aty pastrohej automatikisht. Në një raft të madh më zunë sytë disa libra të paketuar në formë dhuratash. Mbi to, shënimi: Blind date with a book. Le të themi: Takim me një të panjohur. Por, jo me një njeri, me një libër. Ti e merrje librin, hiqje letrën mbështjellëse dhe “ishe i detyruar” të lexoje atë vepër pa e ditur titullin e tij, deri pa hapur kapakun.

Në foto: “Blind date with a book”, takim në bibliotekë me një të panjohur. Por, jo me një njeri, një libër.

 

Përdorimi i bibliotekës ishte falas, por çdokush mund të dhuronte diçka që ajo të mbahej në këmbë. Zakonisht, kompanitë e mëdha fitimprurëse e kishin kthyer donacionin në zakon të përvitshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here