Ish-deputeti Eduart Ndocaj ka një sugjerim për Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku. Nga Milano Ndocaj shpreh besimin tek Prokurorja e re e Përgjithshme dhe thotë se ajo duhet të dijë të parandalojë jo vetëm shumimin e pjellshmërisë kriminale por edhe të parandalojë jetëgjatësinë e tij. Si një kristian, Ndocaj e krahason me Shën Pjetrin por thekson se ajo duhet të jetë Shën drejtësia e munguar.
STATUSI I NDOCAJT
“Arta Marku dhe peshqit e Janarit”
Ashtu si unë, besoj se edhe shumica e shqiptarëve e dinë se gjatë dimrit peshqit kryejnë edhe procesin për shumimin e tyre pranveror. Mirëpo, kryeprokurorja e sapozgjedhur Arta Marku nuk do merret me peshkimin ujor por atë ligjor. Shqiptarët nuk presin që ajo të jetë ‘ Shën Pjetri peshkatar ‘ por SHEN DREJTESIA E MUNGUAR. Prandaj edhe unë si lider i një partie demokristiane, me përvojën politike dhe parlamentare jam i prirur të besoj fort tek reagimet e kryeprokurores Marku në shërbim të çlirimit të politikës nga mafia oligarkike 27-vjeçare. Zakonisht peshqit struken në ujëra të ngrohta dimrit për të siguruar shumim masiv pranveror. Unë duke parë mbështetjen amerikane me strukturat e tyre përkatëse të vendosura në terrenin shqiptar shpresoj shumë se Arta Marku do dijë ta parandalojë jo vetëm shumimin e pjellshmërisë kriminale por edhe të parandalojë jetëgjatësinë e tij në dëm të aspiratave të popullit shqiptar. Drejtësia e bazuar në kushtetutshmëri duhet të ndahet nga bota e krimit e cila deri më sot komandohet nga ato familje kriminale dhe politikanë me njolla të zeza korrupsioni e fitimesh në kurriz të popullit shqiptar.
Arta Marku si kryendëshkuese me drejtësi do arrijë atë çfarë çdo shqiptar mirëpret për të jetuar në një Shqipëri ku dinjitetin mos ta kërkojnë si emigrantë por në Atdheun e tyre.
E N Milano 2017