Kapet një nga tre shqiptarët që u arratisën nga burgu në Greqi

0
998

Policia greke arrin të kapë njërin prej shqiptarëve që u arratisën nga qelia ku vuanin dënimin duke u gdhirë e enjtja. 35 vjeçari u arrestua në vendin e quajtur Menidi, në veriperëndim të Athinës. Për momentin ai po mbahet në rajonin e policisë së Menidit.

Operacioni i njësive të policisë greke në Athinë, i cili ka nisur prej orëve të para të së enjtes (4 janar 2018), vijon ende për gjetjen dhe kapjen e dy shtetasve të tjerë shqiptarë.

Të tre ata u arratisën në mënyrë spektakolare gjatë natës, nga qelia e izolimit e gjykatës së Athinës dhe u zhdukën në drejtim të paditur.

Bashkë me ta u arratis edhe një shtetas gjeorgjian, i dënuar për vrasje, i cili nuk arriti të largohet shumë dhe u kap në oborrin e gjykatës, ku ishte fshehur në errësirë.

Sipas të dhënave më të fundit, të arratisurit kishin me vete një limë, me të cilën ata prenë hekurat e qelisë, që ndodhej në katin e dytë. Pastaj ata zbritën, duke përdorur çarçafët që ndeheshin në shtretërit e tyre.

Fillimisht mediat greke raportuan se ata po mbaheshin në izolim, në pritje që të dërgoheshin në burgjet e vendit.

Në fakt, ata po vinin nga paraburgimi dhe gjatë ditës së sotme do të do të duhej të paraqiteshin para trupit gjykues që do të shqyrtonte akuzat kundër tyre.

Tre shtetasit shqiptarë akuzohen për vepra që kanë të bëjnë me lëndët narkotike, ndërsa gjeorgjiani për vrasje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here