Kryeministri Edi Rama është vlerësuar në Shtëpinë e Bardhë, duke marrë “çmimin për pluralizmin kulturor”. Ky çmim i është dorëzuar shefit të ekzekutivit shqiptar nga i emëruari i presidentit amerikan Donald Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.
Emocionet e ceremonisë së dhënies së çmimit kryeministri Rama i ndau në rrjetet sociale.
“Një surprizë e posaçme ceremonia e marrjes sot, në Shtëpinë e Bardhë, të ÇMIMIT PER PLURALIZMIN KULTUROR, dorëzuar nga i emëruari Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.
Çmimi për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e të së vërtetës historike, një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë që rrezaton gjithnjë e kudo me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Rama në FB.