Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë Abdelmomen Mohammed Sharaf. Gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet shumë të mira midis të dy vendeve mund dhe duhet të intensifikohen më tej. Në këtë kuadër, u vlerësua se shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit Ruçi theksoi nevojën e përfundimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve midis të dy qeverive që janë në proces, si ato në fushën fiskale, të turizmit, transportit ajror, në fushën ushtarake etj.
Sipas tij diplomacia parlamentare e Shqipërisë po merr një rëndësi gjithënjë e më të madhe, si një mjet efikas për rritjen e kontakteve dhe forcimin e marrëdhënive dy e shumëpalëshe.
Ruçi shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga Arabia Saudite dhe kërkoi nxitjen e lobimin saudit për njohjen e pavarësisë së saj nga vendet e tjera anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Ligës Arabe, kërkesë që Ambasadori e mirëpriti dhe shprehu agnazhiminin e tij për të vazhduar të punojë në këtë drejtim.
Diplomati Abdelmomen Mohammed Sharaf tha se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të zhvillohen e përfitojnë edhe nga Nisma 2030 e Arabisë Saudite, e cila përveç prioriteteve të zhvillimit, synon edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar ekonomik e tregëtar të Arabisë Saudite. Në këtë kuadër do te mbështeten më shumë edhe investimet saudite në Shqipëri.
Ruçi theksoi se ndjenjat pozitive të Ambasadorit Abdelmomen Mohammed Sharaf Kryetarit janë një garanci për ngritjen në një shkallë më të lartë të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Arabisë Saudite.