Komisioneri publik kërkoi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në seancën e mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Nga ana tjetër kryegjyqtari Zaganjori kërkoi që të mbetet në fuqi vendimi i KPK-së, për ta lënë në detyrë pasi theksoi se shumë prej provave që ka paraqitur nuk janë marrë parasysh. Vendimi pritet të shpallet më 26 korrik ndërsa Zaganjori kërkoi që figura e tij të mos denigrohet pasi ka qenë një nga mbështetësit e vettingut.
Pas seancës në KPA kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në një deklaratë për mediat u shpreh se Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka gjykuar si të përsëritura dhe pa vlerë argumentet shtesë të paraqitura prej tij.
I pyetur nëse mbajtja në procesin e vettingut që prej një viti është një qëndrim i qëllimshme nga ana e Komisionerit Publik, Zaganjori u shpreh se ky institucvion duhet të mbrojë interesin publik, të ngrejë probleme, por pa e tepruar.
Zaganjori: Unë mendoj se është detyra e tij, atë nuk mund ta them. Detyra e komisionerit publik është të mbrojë interesin e publikut, duhet të ngrejë probleme. Por për mua personalisht edhe ngritja e problemeve e ka një kufi. Ajo që është provë, është dokument zyrtar dhe si e tillë do të trajtohet.
I pyetur nëse ndihen në procesin gjyqtarët nga mënyra se si po procedohet për procesin, Zaganjori u shpreh:
“Nuk e di. Unë deri në ditën e fundit edhe tani, për ato kompetenca që më njeh ligji për të gjykuar dhe nënshkruar shkresa si gjyqtar i vetëm unë nuk e kam ndjerë veten nën presion. Edhe dje kam nënshkruar shumë shkresa për dorëheqjen e gjyqtarëve të gjykatave të Apelit. Kjo është për tu gjykuar nga çdo gjyqtar. Por unë jam munduar që gjatë këtij procesi të realizoj edhe detyrat që më ngarkon ligji”.