Ekzekutimi i me snajper i biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshën mbetet ende pa autorë.
Kontrollet e policisë që vijojnë në zonën e Mirditës dhe marrja në pyetje e shumë personave në lidhje me ngjarjen ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Puna tashmë është përqendruar tek pamjet e kamerave të sigurisë dhe ekzaminimi i një parukeje të gjetur që dyshohet se u përdor nga autori.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe analizimi i të gjithë të dhënave, dyshohet se qitësi ishte profesionist dhe dyshimet janë se ai ishte vrasës me pagesë.
Ekzekutori i biznesmenit qëlloi nga rreth 200 metra largësi nga brenda një apartamenti duke i shkaktuar vdekjen me vetëm një goditje dhe pa dëmtuar persona të tjerë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen, 47 vjeçari u qëllua pasi puthi një fëmijë, i cili fatmirësisht nuk u rrezikua por u përfshi në ngjarjen tragjike.
Nga pallati ku kreu vrasjen, autori dyshohet se u largua i maskuar si grua, ndërsa maska u gjet në afërsi të tregut.
Kjo provë dhe pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar autorin po analizohen më imtësi, por sipas burimeve identifikimi mbi bazë të pamjes është i vështirë.
Ndërkohe po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohëve të fundit me ndonjë person të dyshimte.
Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11 të së martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Dyshimet janë se vrasja është kryer për hakmarrje në vijim të një sage krimesh që kanë goditur ndër vite qytetin e Rrëshenit