Shifrat e FMN-së: Shqipëria e 105-ta në botë për të ardhurat për frymë, ndër më të varfrat e Europës

0
780

Shqipëria renditet e 105-ta në botë nga 189 shtete, përsa i përket të ardhurave për frymë në vitin 2017, sipas shifrave të fundit që janë përditësuar në sistemin e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me 4520 dollarë për frymë në vit, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë. Vendi ynë lë pas vetëm Kosovën (me 3500 USD, në vendin e 120), Ukrainën (135) dhe Moldavinë (137), ndërsa pak më sipër se ne është Bosnjë Hercegovina.

Maqedonia është në vendin e 96, me 5500 dollarë për frymë, Serbia në vendin e 94, me 5600 dollarë. Më mirë është Mali i Zi, në vend të 84 (7071 dollarë për frymë).

Parashikimet e FMN-së janë që deri në vitin 2022, të ardhurat për frymë të çdo shqiptari të arrijnë në 6000 dollarë, duke u përmirësuar lehtë në renditje, për të zbritur në vendin e 100.

Por, e kaluara tregon që Shqipëria nuk ka arritur të ecë më shpejt sesa vendet e tjera në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, përkundrazi është përkeqësuar. Në vitin 2006 Shqipëria kishte të ardhura për frymë prej rreth 3000 dollarë, por renditej një pozicion më mirë, pra në vendin e 104.

Sa më shpejt që të rritet ekonomia e një shteti të varfër, në krahasim me vendet e zhvilluara, në atë që njihet si proces i konvergjencës, aq më shumë zvogëlohet pabarazia në të ardhura. Por, në Shqipëri ky proces duket se ka ndalur. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka mbetur në mesataren e 30% të BE-së, ndryshe nga fqinjët që e kanë përmirësuar këtë tregues. Madje në vitin 2016, Shqipëria ia kaloi dhe Bosnjë Hercegovina, të arhdurta e të cilës ishin sa 31% e mesatares së BE-së.

Për krahasim, të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-n. Serbia ka të arhdura mesatare sa 36% e mesatares së BE-së, sipas Eurostat.

Banka Botërore, në raportin e saj të rregullt rajonal, publikuar së fundmi tha se me ritmet aktuale të rritjes, Shqipërisë do t’i duhen 60 vite për të arritur mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian.

Edhe sipas renditjes së fuqisë blerëse, Shqipëria është në vendin e 98 në botë, po sipas shifrave të FMN-së, sërish ndër më të fundit në Europë.

Shtetet më të pasura të botës
Shteti me të ardhurat për frymë më të lartat në botë në vitin 2017 ishte Luksemburgu me 90 mijë dollarë për frymë, i ndjekur nga Norvegjia me 74 mijë dollarë, Katari me 69 mijë dollarë dhe Zvicra me 58 mijë dollarë.

Në fund të tabelës renditen shtete si Afganistani, Gambia, Liberia, Nigeri, Sudani, që kanë të ardhura për frymë më pak se 500 dollarë në vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here